Sinjaleve se në burgun e Peqinit janë futur mjete të paligjshme për të burgosurit, ka sjellë një kontroll blic të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke filluar nga ora 23:30 e mesnatës së kaluar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në të gjithë institucionin e vuajtjes së dënimit, dy grupe të Forcave Operacionale, kanë konstatuar tre telefona celularë, tre karikues, si dhe pesë kaçavida. Ndërkohë që, materialet për rastin në fjalë i kaluan SHKBB për hetime të tjera.
Mirëpo, ky nuk është aksioni i vetëm i kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në institucionet e vuajtjes së dënimit në vendin tonë, pasi vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë kryer disa kontrolle kundër futjes së sendeve të paligjshme për të burgosurit që vuajnë dënimet në disa nga burgjet më të mëdha të vendit.
Në kuadër të këtyre kontrolleve është vënë edhe njëherë në pikëpyetje jo vetëm siguria në burgje, pro edhe mosfunksionimi i institucioneve përgjegjëse nëpër burgje, të cilat jo vetëm që nuk e luftojnë paligjshmërinë brenda tyre, por shpesh bëhen palë me kriminelët, në këmbim të përfitimeve të mëdha financiare, mes të cilëve nuk ka vetëm punonjës policie, por edhe drejtues të lartë të IEVP-ve në vend.
KONTROLLE NË BURGUN E FIERIT/ SI ISHTE IMPROVIZUAR SHARRA DHE TELEVIZORI SI MJET KOMUNIKIMI:
Aksioni nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve më i fundit në radhë ishte ai i ushtruar mbrëmjen e të premtes rreth orës 22.50 një operacion në burgun e Fierit pas informacioneve të marra në rrugë operative “se brenda institucionit mund të kishte lëndë narkotike”. Aksioni është drejtuar nga Drejtori i Policisë së Burgjeve në krye të dy grupeve të forcave operacionale.
Pas kontrollit dhe në ambientet e përbashkëta u gjetën nëntë doza të dyshuara si lëndë narkotike. 13 doza të tjera u gjetën fshehur në neonin e tavanit në palestër. Gjatë kontrollit, u gjet edhe një sharrë e improvizuar me kokën e një makine qethëse si dhe një televizor “Obot” me fijet jashtë për lidhje me kufje, dyshuar si mjet komunikimi. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme SHKKB.
TË BURGOSURIT ‘VIP’ TRAFIK DROGE MES 3 BURGJEVE, PEQIN-DRENOVË-PARABURGIMI I ELBASANIT NË BASHKËPUNIM ME POLICËT:
Një megaoperacion u realizua nga policitë e Elbasanit, Tiranës dhe Korçës në mbrëmjen e 1 shkurtit duke shkatërruar një grup me zyrtarë të burgjeve, të dënuar VIP për krime të rënda dhe familjarë të tyre, që porosisnin nga qelitë trafikun e drogës brenda burgjeve. Sipas hetimeve, ky bashkëpunim mes shefave të policisë së burgjeve dhe të dënuarve e paraburgosurve, i kishte kthyer qelitë në vatra të drogës dhe organizimeve të paligjshme të lojërave të fatit.
Policia tha se janë ekzekutuar 28 urdhër arreste, por megaoperacioni “Trinom” nxori në pah në fakt se as regjimi i posaçëm 41 Bis, që u ndërtua për të shmangur kontaktet e bosëve të krimit me grupet kriminale, nuk funksionon.
Aleksandër Llanaj, që ndodhet në burgun 313 në Tiranë i akuzuar për tre vrasje, dhe aktualisht në 41 Bis për shkak se edhe më herët ka kryer shkelje brenda burgut, e ka thyer edhe këtë regjim. Duke korruptuar policët e burgjeve, Llanaj ka drejtuar futjen e drogës në qeli dhe është kujdesur të organizojë edhe lojërat e fatit për të burgosurit si në “313” ashtu edhe në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit ku është shtrirë aktiviteti i paligjshëm, Vlorë, Elbasan, dhe 2 burgje të sigurisë së lartë, i Peqinit dhe Drenovës.
Bashkë me të, policia ka zbuluar të tjerë emra të njohur për krime të rënda që janë përfshirë në këtë veprimtari. Gazmir Braka i njohur me emrin Gaxhai, që vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Peqin, Leo Osmani dhe Delin Hajdari të dënuar për masakrën e Vlorës në 29 korrik 2019, Arben Grori, Klajdi Gjeçi, e Aleksandër Sinanaj.
Për policinë ky grup kriminal ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe me porositë e transmetuara nga qelitë mund të kenë urdhëruar edhe vrasje që janë ende pa autorë. Sipas Policisë, këta të dënuar VIP bashkëpunonin me hallkat më të larta të burgjeve, dhe policia ka dyshime se një prej tyre është edhe shefi i policisë së paraburgimit në Elbasan Hysni Ndreu që u arrestua bashkë me 7 oficerë në burgjet e Elbasanit, Peqinit dhe Drenovës.
Gjithashtu për shpërdorim detyre, korrupsion dhe futjen e sendeve të paligjshme në burgje akuzohet edhe një ish-polic burgu që aktualisht është i vetëpunësuar si detektiv privat. Me finalizimin e këtij operacioni, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ushtruan kontrolle në 40 qeli në Peqin, Korçë dhe Elbasan, ku u gjetën sende të ndaluara, celularë, ora, lëndë narkotike dhe dy playstation 3, që dyshohet se të burgosurit i përdornin si mjete komunikimi.
KONTROLL NË REÇ E RROGOZHINË, KOMUNIKIM ME ORË, ‘ANDROID’-I I LIDHTE ME RRJETET SOCIALE:
Kontrollet e befasishme kanë zbuluar pajisje elektronike si televizorë, aparatura Digitalbi, ora, thika e radio të impovizuara që përdoreshin për komunikim nga të dënuarit në burgun e Reçit e të Rrogozhinës. Konkretisht në 13 shkurt të këtij viti, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me tetë grupe të forcave të saj operacionale, ka kryer kontrolle të befasishme në IEVP Rrogozhinë dhe Reç përgjatë fashës orare 17:00-20.55.
Në burgun e Rrogozhinës janë kontrolluar 8 dhoma ku janë konstatuar pajisje që kishin cënuar elementët e sigurisë. Një orë dore e gjetur nga grupet e kontrollit, dyshohet se përdorej si pajisje komunikimi.
Ndërkohë në Reç është gjetur një pajisje komunikimi Android e modifikuar në një kuti kartoni. Kjo pajisje po të lidhej me televizorin realizonte dhe ndërveprim në rrjetet sociale. Gjithashtu është gjetur edhe një thikë e improvizuar, një radio dore me dalje USB dhe antenë. Materialet janë sekuestruar dhe pritet që në ditët në vijim të bëhen procedimet e nevojshme për këto shkelje.
SIGURIA NË BURGJE, THUAJSE ZERO:
Kur dëgjon për të tilla aksione, pyetja e parë që të lind në mendje është: Sa të sigurta janë burgjet shqiptare? Faktet janë ato që e japin përgjigjen për këtë pyetje, që në fakt është thuajse zero.
Kjo për vetë faktin se, ndërkohë që janë futur aty për të vuajtur dënimin e tyre për veprat penale që kanë kryer, të dënuarit për vepra të rënda penale kanë vijuar aktivitetin e tyre kriminal edhe brenda qelisë duke krijuar një grup të strukturuar kriminal.
Madje, edhe vetë policët e burgjeve, jo vetëm që nuk kanë ndërhyrë për të shkatërruar këtë grup, por kanë bashkëpunuar me ta duke mundësuar futjen e qeli të drogës dhe sendeve të paligjshme dhe transportin e saj nga njëri burg në tjetrin.



