Alsat 2019-07-25T15:50:52+02:00
Plani i veprimit të qeverisë kundër dezinformimit përmban masa problematike dhe të paqarta. Këto janë reagimet fillestare të organizatave të gazetarëve, pasi Zaev dje e paraqiti propozimin. Fushata edukative të paguara në mediat private, kriteret për akreditimin e mediave, cilat media do të kenë të drejtën për të monitoruar ngjarjet qeveritare dhe bashkë-rregullim të portaleve, janë vërejtjet kryesore ndaj të cilave reagoi Shoqata e Gazetarëve.
Kjo nuk është e shprehur në mënyrë të qartë në tekst, megjithatë, dëshiroj të përsëris politikën e SHGM-së, se çdo kufizim me ligj, pavarësisht nëse ai është në mediat online, ose ligj kufizues i mediave të tjera, nuk do të thotë se do të ketë një përmirësim në sferën e mediave dhe se do të ketë informim më të mirë. Si Qeveria, ashtu edhe Parlamenti te ne kanë detyrimin për të garantuar lirinë e shprehjes dhe janë të detyruar të krijojnë një mjedis ku mediat dhe gazetarët mund të punojnë lirisht, të jenë të sigurt dhe me përgjegjësi- deklaroi Dragan Sekulovski – SHGM.
Në të njëjtën linjë me Sekullovskin është edhe Marina Tuneva, nga Këshill i Etikës në Media, e cila vlerëson se gjatë aplikimit të rregullave në mediat online, duhet të kenë kujdes mos të kufizohet liria e shprehjes. Sipas saj, është e nevojshme që komuniteti i mediave të përfshihet në planin e ballafaqimit me fenomenin e lajmeve të rreme. Qasja ndryshe, vlerëson Tuneva, mund të kuptohet si censurë.
Nuk është problem të ketë koordinim të tyre të brendshëm, por përjashtimin e shoqatave profesionale të komunitetit të mediave në këto procese, e konsiderojmë si një pengesë serioze për funksionimin normal dhe papengesa të procesit të trajtimit të lajmit të rremë. Nëse bëhet fjalë për koordinimin e brendshëm ndërmjet të gjitha institucioneve të përmendura në atë organ, kjo është në rregull, por lista duhet të zgjerohet me ata që janë më të rëndësishëm në lojë- shoqatat profesionale- deklaroi Marina Tuneva – Këshilli i Etikës.
Sipas planit të veprimit, Qeveria planifikon të zbatojë një fushatë të brendshme për punonjësit në administratën e shtetit, për ndikimin e dëmshëm të lajmeve të rreme, do të krijojë një Strategji Kombëtare për Njohuri mediatike, që do të përfshihet në programet arsimore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe do të bashkëpunojë me organizatat që merren me verifikimin e fakteve.
ALsat
Loading…



