Pesë persona janë privuar nga liria gjatë 1 majit 2026 në disa qytete, nën dyshimet për ushtrim të dhunës në familje, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit, dy raste janë regjistruar në Kumanovë. Në orën 21:00, policia ka arrestuar një 35-vjeçar me inicialet M.S., i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 31-vjeçare dhe dy fëmijët e mitur. Ndërsa, rreth orës 23:40, është privuar nga liria edhe M.D. (57), pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij 28-vjeçare.
Një tjetër rast është raportuar në Ohër, ku në bulevardin “Makedonski Prosvetiteli”, rreth orës 20:40, është arrestuar I.K. (48) nga Lubjana e Sllovenisë. Ai dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje verbale, ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij në një banesë në qytet.
Në një fshat të Strumicës, në orën 16:00, policia ka ndaluar një 36-vjeçar, i cili sipas denoncimit kishte shfaqur sjellje agresive ndaj nënës së tij 65-vjeçare.
Ndërkohë, në Veles, në orën 08:30, është arrestuar një 23-vjeçar, i dyshuar se kishte sulmuar fizikisht motrën e tij 24-vjeçare në shtëpinë familjare.
Autoritetet bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të ndërmerren procedurat përkatëse ligjore ndaj të dyshuarve.

