Pesë parti kushtëzojnë mbështetjen e tyre për qeverinë

Pesë parti kushtëzojnë mbështetjen e tyre për qeverinë

Nëse brenda tre muajve nuk miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pesë partitë e vogla me deputetët e tyre paralajmërojnë se do të anulojnë mbështetjen e Qeverisë.

Me këtë paralajmërim, Qeveria e Kovaçevskit ende pa filluar po përballet me kushte, ose me rrëzimin e saj, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Deputetët nga pesë partitë më të vogla në koalicionin qeverisës kërkojnë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratohen brenda tre muajve.

Ata propozojnë që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, me modelin proporcional dhe pa prag zgjedhor.
Më 12 janar, ata i kanë dorëzuar kërkesë kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, që sa më shpejt të caktohet seancë plenare për të diskutuar propozimin për ndryshime në Kodin Zgjedhor, që e kanë deponuar në Kuvend 11 muaj më parë.

“Nisur nga rëndësia e ligjit, ne insistojmë që të caktohet një seancë plenare sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të hapet një debat për projektligjin. Me ndryshimet, propozohet që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë një zonë zgjedhore, me model proporcional zgjedhor dhe pa prag”, thuhet në kërkesën e nënshkruar nga deputetët Pavle Trajanov (DS), Maja Moraçanin (DOM), Monika Zajkova dhe. Bobi Mojsoski (LDP), Ljupço Ballkoski (VMRO-NP) dhe Bejxhan Iljas nga DPT.

Nëse brenda tre muajve nuk miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ata njoftojnë se do të thotë fundi i mbështetjes së tyre ndaj qeverisë.

Kërkesa për ndryshime në Kodin Zgjedhor ka qenë pjesë e prioriteteve programore të këtyre partive dhe kanë insistuar që ato të jenë pjesë e programit të qeverisë, për të cilën kanë diskutuar në takimet konsultative me kryeministrin e mandatuar Dimitar Kovaçevski.

Pasi disa nga këto prioritete u përfshinë në Programin e Punës së Qeverisë 2022-2024, por disa jo, pesë partitë ranë dakord për një qëndrim të përbashkët: mbështetja për qeverinë e re duhet të varet nga zbatimi i prioriteteve programore të këtyre partive.

“Mbështetja për qeverinë e re do të jetë e kushtëzuar. Ne këmbëngulim që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratohen brenda tre muajve. Nëse ndryshimet nuk miratohen në atë periudhë, do të thotë se mbështetja jonë nuk do të vazhdojë dhe kjo do të shkaktojë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ky nuk është shantazh, por një qëndrim parimor i ndërtuar kohë më parë, i njohur dhe i promovuar në disa raste”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov.

Nënshkruesit e kërkesës presin që në fund të janarit të nisë debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ata insistojnë në këto ndryshime, sepse shohin në to një mundësi unike për të përcaktuar bazën për konkurrencë të barabartë politike, e cila do të eliminojë avantazhet sistematike për katër partitë kryesore. Përpjekjet për të ndryshuar atë plan deri më tani kanë qenë të kota. Në vitin 2019 ka pasur një iniciativë dhe debat për ndryshimin e modelit zgjedhor. Pavarësisht qëndrimeve se me ndryshime të tilla “partitë e renditura më të larta do të humbasin më së shumti, por do të fitojë demokracia”, megjithatë asgjë nuk ka ndryshuar, dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 u zhvilluan “si më parë”.

Mandatari i ri Kovaçevski tashmë ka finalizuar të gjitha punët për të nisur qeverisjen, dhe se nesër është caktuar seanca e Kuvendit për votimin e Qeverisë së re. (INA)