Agim Mamuti
Për shkak të arsyeve të ndryshme, personalizimi i udhëheqësive politike është theksuar më shumë se kur, edhe në sistemet parlamentare. Megjithatë, njëkohësisht ekziston ndjenja se koncentrimi i pushtetit në duart e një lideri e dobëson jetëgjatësinë e partisë, e pengon paraqitjen e liderëve alternativë, i përforcon pretendimet oligarkike të kryesisë dhe si pasojë e gjithë kësaj, e “zvogëlon” demokracinë. Në këtë kontekst, partia mundet të akuzohet për abdikimin e autonomisë, funksionimit të sajë, sipas rrugës së “delegimit” të liderit. Gjithashtu edhe lideri mund të akuzohet për “dobësimin” e jetës brenda partiake. Ose, shikuar nga prizmi i kundërt i kësaj që thamë, partia mund të akuzohet për përçarje brenda partiake, për mospërkrahje të liderit, njëkohësisht duke kritikuar liderin se nuk kontrollon fraksionet brenda partiake. Për të gjitha këto dhe perceptimet tjera, partia mundet të kritikohet nga ana e disa votuesve.
Problem shtesë për partitë, të cilat e kanë të theksuar ose e mbështesin udhëheqësin e personalizuar ose pseudokarizmatike, është ai se edhe në qoftë se lideri largohet nga udhëheqësia ose e humb autoritetin tek votuesit dhe anëtarët e partisë, rëndë është ta heshtin. Mund të paraqitet situatë e komplikuar ku partia do të fletë me dy zëra të ndryshëm, një të liderit aktual dhe një të ish-liderit. Kjo situatë, jo vetëm që mund të paraqet tollovi në momente të caktuara, por mund të kontribuojë edhe në mungesën e përgjegjësisë.
Probleme të ngjashme paraqiten edhe në çështjen e profesionalizimit të politikës. Interesante është që të theksohet se në disa shoqëri të cilat besojnë në profesionalizim – vënie e plotë dhe kompetente e detyrës, e bazuar në dituri dhe përvojë – shprehja “politikan profesional” ka konotacion negativ. Ekziston një ide e cila nënkuptohet dhe sipas së cilës politikani nuk duhet të jetë vetëm politikan, ndokush (ta shfrytëzojmë shprehjen figurative të Shumpeterit) “i cili ballafaqohet me vota”, e në fund, në fakt është vetëm qytetarë i rëndomtë.
Obligimet që dalin nga profesionet moderne në sektorët privat e rëndojnë, për të mos thënë e pamundësojnë, inkuadrimin e individëve të caktuar në politikë për një kohë të caktuar dhe pastaj të rikthehet në profesionin paraprak. Profesionet të cilat në të kaluarën kanë mundur të jenë veprimtari me kohë të pjesshme të orarit të punës sot kërkojnë përkushtim të plotë. Ndoshta nëpunësit publik, mësuesit apo akademikët, mund të rikthehen në vendet e tyre pas veprimtarisë politike (edhe pse nuk është e preferueshme edhe aq që një mësimdhënës i cili nuk ka qenë katër apo tetë vite në kontakt me lëmin e tij të jetë i mirëseardhur). E palogjikshme është që një mjek-politikan i cili qëndron në parlament, nga ana tjetër të vazhdojë me mjekimin e pacientëve. Profesionalizimi më i madh i profesioneve rrjedhimisht e kufizon numrin e politikanëve-amatorë dhe e përforcon trendin e profesionalizimit të politikës.
Sido që të jetë, edhe përskaj të vështirësisë së madhe që njëkohësisht të ndërtohen karriera edhe në jetën publike edhe në atë private, miti i Sinsinatit qëndron fuqishëm. Shumë njerëz nuk e pranojnë profesionalizimin e politikës dhe vazhdojnë të besojnë në politikanët-amatorë të cilët iu shërbejnë bashkëqytetarëve një kohë të caktuar, edhe pse nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga vendet e tyre të punës. Ky privilegj kërkon ekzistimin e personave të kualifikuar të cilët veç më kanë ndërtuar karriera në sektorët privat, të cilët do të dëshironin që atë aktivitet për një kohë të caktuar ta lënë në pushim për të kryer një veprimtari të caktuar publike dhe pastaj, pas një periudhe të caktuar të kaluar në veprimtarinë publike, përsëri të kthehen në profesionet e tyre. Për shkak të arsyeve të ndryshme, ndryshimin e natyrës së politikës dhe kërkesave teknike në shumë profesione, trajektorja e këtillë e karrierës gati se është joreale. Shumë individë inkuadrohen në ujërat politike herët, ende pa mos arritur pozicione të caktuara në sferën private, pozicion i cili do të u kishte siguruar të ardhura ose status të krahasueshëm me të ardhurat ose statusin e një ligjdhënësi apo nëpunësi publik. Pas një dështimi zgjedhor, për ata do të ishte rëndë që të kthehen në karrierën e tyre në sektorin privat; për këtë shkak edhe janë të varur nga partia e cila duhet t’ju sigurojë ndonjë “beneficion” në organizimin partiak.
Profesionalizimi i politikës do të thotë se burrat dhe gratë inkuadrohen në politikë dhe kërkojnë të ushtrojnë veprimtari partiake jo si të përkohshme ose të pjesërishme, por si veprimtari afatgjate ose veprimtari me kohë të plotë pune. Disa vendosin këtë ta bëjnë herët në veprimtarinë e tyre dhe nuk ndjekin asnjë objektiv tjetër profesional apo të karrierës. Politika për ata është vokacion, njëkohësisht edhe profesion.
Një çështje tjetër është ajo se sa partitë në të ardhmen do të jenë të afta të shërbejnë si kanal për veprimtarinë politike, si mekanizëm për regrutimin e elitës, kur vetëm disa dëshirojnë që t’iu bashkëngjiten. Ekziston një dozë rezerve tek elitat për t’u bashkëngjitur në partitë politike. Partitë mund që të rekrutojnë edhe nga lëvizjet shoqërore. Mirëpo, mund të ekzistoj një vështirësi për personat të cilët janë fortë të përkushtuar vetëm për një problem të caktuar, që të mund t’i pranojnë rolet e shumta dhe kompromiset të cilat i kërkon partia politike. Ekziston, veçanërisht në nivelet më të larta partiake, mundësia për pranimin e personaliteteve nga: universitetet, akademitë, bizneset, si dhe udhëheqësit e sektorëve të ndryshëm, mbi baza të aftësive. Mirëpo, mbetet dilema se sa këto personalitete të rekrutuara në këtë mënyrë, do të kishin disa nga kualifikimet për të cilat konsiderojmë se janë të nevojshme në udhëheqjen politike, duke përfshirë këtu edhe aftësinë për komunikim me votuesit dhe aftësinë që zëshëm t’i thuan shpresat dhe sfidat e shoqërisë sonë!