Alsat 2019-06-20T15:21:27+02:00
Qeveria nuk i merr për serioze “bombat” e El Chekës në të cilat protagonistë kryesorë janë zyrtare të lartë të BDI-së përfshirë edhe vet kryetarin e partisë Ali Ahmetin. Zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha nuk tha nëse bisedat e publikuara kanë lëkundur besimin mes partnerëve të koalicionit. Ai kërkoi që me këtë rast të merren organet e hetuesisë.
Institucionet, të cilat janë kompetente në raste të tilla i kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe kanë komunikuar qëndrimet e tyre me opinionin. Assesi ato nuk ndikojnë në rikonstruimin apo ndryshimet kadrovike, të cilat janë paralajmëruar në Qeveri, të cilat pritet të përfundojnë javës së ardhshme- deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së RMV-së.
Prokuroria Themelore e Shkupit pas marrjes së të dhënave nga Sektori për krime kibernetike dhe forenzikë digjitale të MPB-së, lëndën e ka dorëzuar për ta proceduar Prokuroria e Kërçovës. Kjo po e ndjek “El Chekan” për dy vepra penale, përgjim dhe publikim të paautorizuar të bisedave telefonike. Nga atje thonë se nga vendi i kryerjes së veprave i lokalizuar Chikago e SHBA-së nuk është lokacioni i vetëm prej nga publikohen materialet e përgjuara.
Prokuroria Themelore e Kërçovës
“Ne jemi duke hetuar rastin me shkeljet që janë bërë gjatë këtyre publikimeve të bisedave të përgjuara. Prokuroria ka komunikim të vazhdueshëm me organet kompetente të SHBA-së për të parandaluar publikimet e reja dhe për sigurimin e dëshmive materiale për personin në fjalë”.
Përderisa Prokuroria Themelore vazhdon hetimet, edhe “El Cheka” vazhdon me publikimet e reja të bisedave të përgjuara. Ai kërkon hetim ndërkombëtar për lagjen e trimave. Për bombat e publikuara së fundmi, kryeprokurorja e Speciales Katica Janeva tha se të njëjtat nuk kanë dalë nga sistemi i tyre por shtoi se bisedat e përgjuara që i publikon “El Cheka” i posedon edhe Prokuroria Speciale Publike.
Adnan Qaili
Loading…


