Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka reaguar ashpër ndaj ish-funksionarëve të partisë që së fundmi kanë kërkuar ndryshime në udhëheqje dhe në mënyrën e funksionimit të LSDM-së, njofton 4news.mk.
Filipçe kritikoi drejtpërdrejt Igor Ivanovskin dhe Sllavjanka Petrovskën, duke vënë në pikëpyetje kredibilitetin e tyre për të dhënë këshilla se si duhet të drejtohet partia.
“Le të më largohen nga rruga, sepse do t’i shkel si kamioni bretkosën”, deklaroi Filipçe.
Ai akuzoi Ivanovskin se në të kaluarën kishte qenë anëtar i disa bordeve drejtuese dhe kishte përfituar të ardhura të konsiderueshme, ndërsa për Petrovskën ngriti pikëpyetje lidhur me arsyet e kritikave të saj ndaj udhëheqjes aktuale.
Filipçe tha se drejtuesit aktualë gjatë dy viteve të fundit kanë punuar për konsolidimin e LSDM-së, ndërsa kritikoi ish-funksionarët që tani kërkojnë ndryshime në parti.



