Ka ndërruar jetë 19 vjeçari me origjinë italiane i cili ishte i përfshirë në aksidentin e dy jet-skive në plazhin e Velipojës ditën e sotme.
I riu i identifikuar me iniciale N.L., 19 vjeç, ka ndërruar jetë në ambientet e Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Të dy jet-ski drejtoheshin nga italianë, të moshës 19 dhe 20 vjeç, të cilët kryen manovra të gabuara duke përfunduar kështu të përplasura rreth 1 milje jashtë perimetrit të sigurisë.
Më herët u raportua se 19 vjeçari ndodhej në spital për të marrë ndihmë mjekësore pasi ishte i vetmi i lënduar.
Sakaq, dy mjetet lundruese u bllokuan nga shërbimet e Policisë Kufitare.
Grupi hetimor po vijon punimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të rrethanave të kësaj ngjarje.
Njoftimi i policisë:
Velipojë/Informacion shtesë
Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, për një përplasje mes dy mjeteve lundruese Jet Ski, në thellësi të plazhit të Velipojës, rreth një milje larg nga perimetri i sigurisë, ju bëjmë me dije se shtetasi italian N. L., 19 vjeç, ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rast.