Diplomati Agim Nesho komentoi bisedën telefonike të fundit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, duke e cilësuar këtë si një shenjë pozitive për përpjekjet e mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në emisionin “Open” në News24 ai theksoi se kjo bisedë mund të sjellë mundësi për të ulur tensionet dhe për të arritur një marrëveshje që do të minimizonte humbjet njerëzore për Ukrainën. Nesho u shpreh se, “si një vend pro-perëndimor, Shqipëria dëshiron që Ukraina të dalë nga ky konflikt me sa më pak dëme”.
Ai gjithashtu theksoi se, për momentin, është një arritje që Ukraina ka mundur të furnizohet me energji elektrike dhe të shmangen sulmet ndaj infrastrukturës energjitike.
Në lidhje me qëndrimin e Rusisë, diplomati theksoi se Vladimir Putin tani ndjehet më i sigurt dhe i lehtësuar, veçanërisht pas ndryshimeve në politikat e administratës së SHBA-së, duke e parë presidentin amerikan si një partner me të cilin mund të zgjidhen problemet.
Sidoqoftë, ai tha se Putin ka vënë disa kushte, duke përfshirë kërkesën që NATO të mos jetë në Ukrainë dhe as në vendet e Evropës Lindore. Nesho theksoi gjithashtu se, për shumë analistë perëndimorë, këto kushte janë të vazhdueshme dhe se Rusia duhet të merret seriozisht, pasi mund të paraqesë rrezik të madh, veçanërisht nëse vazhdon bashkëpunimin me Kinën.
Agim Nesho: Biseda e Donald Trump dhe Vladimir Putin për të arritur paqen është shenjë pozitive. Ne si vend pro-perëndimor duam që Ukraina të dalë me sa më pak humbje. Sot është arritur që Ukraina të furnizohet me energji elektrike dhe mos ketë sulme mbi asetet energjitike ukrainase.
Vladimir Putin ndihet i lehtësuar, në raport me politikat që ka pasur më herët SHBA. Putin shihet si partner, me të cilin mund të zgjidhen problemet. Putin ka vënë disa kushte, por analistët perëndimorë thonë se kushtet janë ata të vazhdueshmet, që NATO mos të jetë në Ukrainë, në vendet e lindjes mos të jenë po ashtu forcat e NATO-s. Rusia nuk mund të neglizhohet. Përbën rrezik Rusia, nëse bashkëpunon me Kinën.