Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile është mbledhur, për situatën e reshjeve të dendura të shiut në vendin tonë që kanë paraqitur probleme në disa prej qyteteve.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ka funksionuar më së miri i gjithë zinxhiri i emergjencave.
“E bëj këtë takim për të adresuar situatën e reshjeve në fund të ditës së sotme, ndërkohë që gjatë gjithë ditës dhe më parë sesa ditës së sotme, ka funksionuar më së mirë i gjithë zinxhiri i emergjencave dhe duke qenë se për arsye pune nuk kam qenë fizikisht në Shqipëri, zv/ kryeministri që e ka ndjekur këtë proces, më ka informuar herë pas here për situatën” tha Rama.
Ndërsa zv/ kryeministri Erjon Braçe tha se sot nuk kemi asnjë jetë të rrezikuar nga përmbytjet.
“Të gjitha akset rrugore janë në gjendje mjaft të mirë. Sot dita ka qenë e vështirë për shkak të reshjeve në tre ditët e fundit. Në të gjitha rajonet nga veriu në jug, nuk ka asnjë që të mos ketë pasur mbi 100 mm shi, sot është dhënë efekti. Dy ditët e ardhshme janë paralajmëruar me reshje masive. Sot nuk kemi asnjë njeri të rrezikuar nga prurjet e lumenjve. Deri në datë 11 janë ditët e vështira” tha ai.



