Paralajmërimet për braktisje të BNJVL-së nga ana e komunës së Strumicës dhe Karposhit, ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski i cilëson si negative dhe thotë se nga ky hap do të vuanin qytetarët e komunave që largohen. Perinski pret që vendimet e Kostadinovit dhe Jakimovskit të ndryshojnë dhe Bashkësia e Njësive për Vetëqeverisje Lokale do të vazhdojë të funksionojë si duhet. Ai thotë se refuzimi i projektit të Strumicës nuk ishte mbi baza politike dhe fakt për këtë janë projektet e pranuara të kolegëve të tij nga e njëjta parti.
“Nëse vazhdon ky trend negativ, me të vërtetë vlerësoj se vetëm qytetarët e komunave që janë jashtë BNJVL-së do të vuanin. Nuk është mirë dhe mendoj se në periudhën që vijon do të ketë arsye dhe se do të korrigjohen këto vendime dhe BNJVL do të vazhdojë të funksionojë si duhet”, tha Zllatko Perinski, ministër i vetëqeverisjes lokale.
Sa u përket akuzave për qasje indiferente ndaj komunës së Strumicës e cila po ballafaqohet me mungesë të ujit të pijshëm, Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, tha se detyrimin për të siguruar ujë të pijshëm e kanë vet komunat.
“Vetëqeverisja lokale nuk arriti ta menaxhojë procesin, madje ne u sulmuam se ne jemi fajtorë se Strumica ka ujë jocilësor për pije…Ajo që kryetari I komunës së Strumicës dhe krerët e mëhershëm nuk kanë investuar mjaftueshëm në stacionin e filtrimit, flet për punën e tyre në të kaluarën, nuk është përgjegjësia e Qeverisë është përgjegjësia e vetëqeverisjes lokale. Përsëris nëse janë të paaftë le të tregojnë çka duhet ne do të ndihmojmë si qeveri”, u shpreh Cvetan Tripunovski, Ministër i bujqësisë.
Braktisjen e BNJVL-së krerët e Strumicës dhe Karposhit e paralajmëruan një ditë më parë. Por kreu i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Orce Gjorgjievski u bëri thirrje që ta rishqyrtojnë vendimin. Ai nënvizoi se dera është e hapur për të gjithë dhe për secilin problem mund të gjendet zgjidhje. /Alsat.mk