“Mbulimi i humbjeve të komunave, mendoj se është një qasje krejtësisht e gabuar, e cila në fakt nxit joproduktivitetin, masë që u praktikua nga Qeveria e kaluar. Kjo Qeveri konsideron se një model i tillë nuk është i përshtatshëm. Edhe pse është e vërtetë që komunat po përballen me buxhet të kufizuar, kjo nuk është arsyetim për rezultatet e tyre negative financiare”, tha në një intervistë për “Llokallno”, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, i pyetur nëse kredia hungareze me të vërtetë do të ndihmojë ose është vetëm një zgjidhje për borxhet e komuneve.
Synimi dhe pritshmëritë tona janë që korniza e ndryshuar dhe e përmirësuar të jetë gati dhe e zbatueshme para zgjedhjeve të ardhshme lokale. Nga komunikimi joformal i deritanishëm me palët e interesuara direkte dhe indirekte në sistemin e vetëqeverisjes lokale, si dhe nga procesi tashmë i nisur i debateve të hapura publike për ndryshimet në ligj, mund të them se në përgjithësi kemi një qëndrim të përbashkët dhe mbështetje për amendamentet e planifikuara”, thekson ministri.
Në pyetjen se: Disa nga qytetarët, por edhe nga anëtarët e VMRO-DPMNE-së, ju njohin një kandidat serioz që mund ta zëvendësojë Danela Arsovskën. Si i shihni parashikime të tilla dhe si e imagjinoni qytetin nëse jeni kandidat dhe nëse fitoni? A mund t’i rregulloni problemet në një afat, ministri Zllatko Perinski tha:
“Një vizion i qartë me një strategji afatgjate dhe në përputhje me nevojat e qytetarëve është zgjidhje e sigurt për problemet e Shkupit dhe të shkupjanëve, të cilat, për fat të keq, janë grumbulluar çdo ditë në vitet e fundit. Duke marrë parasysh rrethanat në të cilat jemi dëshmitarë, nuk besoj se Shkupi do të qëndrojë plotësisht në këmbë brenda një mandati, por megjithatë, kjo është një periudhë e mjaftueshme që qyteti të vendosë themelet bazë mbi të cilat do të vazhdojë të zhvillohet dhe të forcohet, në drejtim të një metropoli të vërtetë. Shkupit i duhet një politikë urbane sipas standardeve ndërkombëtare, me fokus modernizimin e transportit publik, masat për uljen e ndotjes, optimizimin e parkimit dhe forcimin e kapaciteteve për ruajtjen e higjienës dhe urbanizimin e hapësirave publike. Për të siguruar një jetë cilësore për të gjithë qytetarët, nevojitet një qasje sistematike që do të mbulojë të gjitha aspektet e mjedisit urban. Është thelbësore të zbatohen zgjidhje afatgjata dhe të koordinuara, jo masa afatshkurtra. Për shembull, problemi i ndotjes nuk mund të zgjidhet pa përmirësuar transportin publik. Menaxhimi i mirë i ndërmarrjeve publike është gjithashtu i nevojshëm për funksionimin efikas të sistemit dhe shërbimeve publike cilësore. Vetëm kështu Shkupi mund të bëhet qytet funksional dhe urban”, deklaroi ministri Perinski.
Ai foli edhe për aktivitetet tjera në Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale, gjendjen në të cilën e ka gjetur këtë ministri, si dhe ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale./Ora24.tv