Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, së bashku me kryetarin e Komuna e Vasilevës, Slave Andonov, kanë realizuar vizitë në terren për të parë nga afër zbatimin e projektit infrastrukturor “Creative DG EcoTour”, i cili realizohet në kuadër të programit INTERREG VI-A IPA Bulgaria 2021–2027.
Projekti parasheh rikonstruksion dhe pajisje të plotë të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Gradoshorc, me qëllim arritjen e nivelit të lartë të efikasitetit energjetik dhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si pjesë e përpjekjeve më të gjera për zhvillim të qëndrueshëm dhe me emetime të ulëta të karbonit.
Kryetari i komunës, Andonov, në fjalimin e tij theksoi:
“Falë bashkëpunimit afatgjatë dhe të suksesshëm me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe me komunën tonë partnere Kresna, po e rinovojmë një objekt të rrënuar i cili do të shndërrohet në krenari të rajonit, ndërsa në kuadër të tij do të ndërtohet edhe një dhomë përkujtimore kushtuar Mis Stonit, e cila do të kontribuojë ndjeshëm në pasurimin e ofertës turistike të komunës dhe të gjithë rajonit ndërkufitar.”
Në kuadër të këtij projekti, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale e Maqedonisë së Veriut siguron bashkëfinancim nacional në lartësi prej 15 për qind të vlerës së projektit, ndërsa buxheti i përgjithshëm për Komunën e Vasilevës për këtë projekt është 302.357 euro.
Ministri Perinski theksoi se asnjë komunë nuk duhet të mbetet në margjinat e zhvillimit:
“Asnjë komunë nuk guxon të mbetet në margjinat e zhvillimit. Pikërisht këtu, në Vasilevë, ka potencial. Si Qeveri, që nga fillimi i mandatit kemi marrë përsipër të sigurojmë mbështetje, njohuri dhe mekanizma financiarë që këto potenciale të shndërrohen në projekte reale dhe rezultate reale, dhe kjo tashmë po shihet në terren.”
Përmes dy thirrjeve publike për projekte infrastrukturore në komuna, për Komunën e Vasilevës janë miratuar gjithsej gjashtë projekte, në vlerë të përgjithshme prej 115.680.175 denarë.
Gjatë vizitës, ministri zhvilloi edhe një takim pune me anëtarët e Këshillit të Komunës së Vasilevës dhe administratën komunale, ku theksoi:
“Përmes këtyre takimeve të drejtpërdrejta e ngrisim nivelin e komunikimit të menjëhershëm dhe politikat i krijojmë sipas nevojave reale nga terreni, e jo nga zyrat.”Tetovasot


