15 September
Një pjesë e vogël e gjykatësve kontrollojnë dhe keqpërdorin sistemin gjyqësor për qëllime politike dhe bëjnë presion ndaj kolegëve më të rinj përmes sistemit të gjobitjes, shkarkimit dhe avancimit. Kjo është një prej konkluzioneve të raportit të dytë të Pribes. Në këtë analizë kërkohet që të gjithë gjykatësit që kanë vepruar në mënyrë të papërgjegjshme të përgjigjen penalisht.
Aty ku ekzistojnë prova për dëshmimin e përgjegjësisë penale, gjykatësit duhet të mbajnë përgjegjësi penale për sjelljen e tyre të pahijshme. Të gjithë gjykatësit e shkarkuar të cilët kanë vepruar në mënyrë jo përkatëse dhe kjo është dëshmuar, duhet t’u ndalohet praktikimi i të së drejtës në të gjitha nivelet- thuhet në raportin e dytë të Rajnhard Pribes.
Raporti ka vërtetuar atë që e shkroi Alsat M se kryetarët e gjykatave kanë keqpërdorur sistemin për shpërndarjen e lëndëve në Gjykatën Penale. Disa aktakuza janë kurdisur që të bien tek gjykatësit e përshtatshëm, ndërsa ata të cilëve nuk u kanë besuar, janë zhvendosur nga lëndë penale në ato civile. Alsat M shkroi për procedura të këtilla të kryetarit të Gjykatës Supreme, Jovio Vangelovski, dhe ish kryetarin e Penales, Vladimir Pançevski dhe pasardhësit e tij, Tatjana Mihajlova dhe Stojançe Ribarev. Në raportin e ri të Pribes kërkohet revizioni i sistemit AKMIS.
Qëllimi i revizionit është që të gjenden prova, nëse ka pasur parregullsi dhe revizioni i këtillë duhet të zbatohet pa ndikim politik, nëse ka nevojë edhe me ndihmë ndërkombëtare- thuhet në raportin e dytë të Rajnhard Pribes.
Gjatë përgatitjes së raportit, gjykatës të caktuar kanë deklaruar se kryetarët e gjykatave shpesh kanë dhënë udhëzime se si të veprojnë, ndërsa ndonjëherë instruksionet kanë ardhur drejtpërdrejtë nga partitë ku edhe ka pasur kërcënime me pasoja serioze. Këshilli gjyqësor si trup i pavarur, në vend që ta garantojë pavarësinë e gjyqësorit, në realitet e pengon autonominë e tyre, me fuqinë që të shkarkoj ndonjë gjykatës. Pribe ka nënvizuar se rekomandimi nga raporti i parë deri tek këshilli gjyqësor që të punojnë pa involvim politik, nuk është plotësuar. Janë vërejtur edhe presione të jashtme gjatë hetimit të korrupsionit të profilit të lartë në Prokurorinë për Krim të Organizuar. Ky institucion ka zhvilluar hetime për korrupsion ndaj politikanëve, gjykatësve dhe prokurorëve. Pribe nënvizon edhe se krahas të gjitha pengesave për Specialen dhe faljen e presidentit Ivanov, patjetër të ketë përgjegjësi penale për ata të cilët me vite kanë përgjuar në mënyrë ilegale. Në raport shkruan se gjykatat kanë treguar jogatishmëri për t’i konfirmuar kërkesat e paraburgimit të kësaj prokurorie. Në opinion është krijuar një pasqyrë e mosgjobitjes pasi edhe pas dy viteve asnjëri nga të dyshuarit për krim nuk është dënuar, pa marrë parasysh nga cila parti vjen. Në ndërkohë periudhën prej 18 muajve për ngritjen e aktakuzave nga Specialja, Pribe e ka vlerësuar si të shkurtë. Për këtë kërkohet që të vazhdohet mandati që të hetohet tërësisht krimi eventual nga materialet e përgjuara.
Boja Stojanovski

