Kur flitet për arritjen e barazisë gjinore në Maqedoni, kryesisht nënkuptohet avancimi i pozitës së gruas në shoqëri, e në veçanti në jetën publike dhe në pozita vendimmarrëse.
Shoqëria civile, përmes platformave të tyre vazhdimisht ka bërë përpjekje për arritjen e barazisë gjinore, e në veçanti avancimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe jetën publike. Por, a janë rritur përpjekjet jo vetëm për emancipimin e gruas, por edhe për vlerësimin e kontributit në shoqërinë tonë dhe për avancimin e pozitës së saj, kjo mbetet për të diskutuar shumë. Një numër i konsiderueshëm i organizatave të ndryshme, përfshirë edhe organizatat jo-qeveritare të vendit dhe ndërkombëtare, përmes programeve e projekteve të ndryshme kanë kontribuar në avancimin e pozitës së gruas drejt arritjes së barazisë gjinore.
Projekti “Përfshirja e grave të Bashkësive Etnike jo shumicë në tregun e punës”, targetoi gra të bashkësive etnike në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Manastir, duke ju qasur atyre dhe familjeve të tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe duke zbatuar një metodologji të posaçme të projektit, si kombinim i ndërtimit të kapaciteteve dhe mentorimit, me qëllim rritja e motivimit dhe kushteve për përfshirjen e tyre në mënyrë aktive në tregun e punës. Projekti ofroi mbështetje, në kuptimin e ngritjes së njohurive për kërkim aktiv të punës dhe fitimit të shkathtësive të reja për punësim për 326 gra të bashkësive etnike jo shumicë, ku përfshihet komuniteti i grave shqiptare, rome, turke, serbe dhe të tjera, për t’u bërë më të konkurrueshme në tregun e punës, sipas projektit që implementohet nga Iniciativa Qytetare e Femrave Antiko dhe Care të Gjermanisë dhe Luksemburgut, njofton Almakos.
Shpesh këtyre grave u ka munguar informacioni rreth mundësive të punësimit dhe edukimit, të ofruara nga Agjencia e Punësimeve.
Edhe shkalla e aktivitetit të grave në Republikën e Maqedonisë janë vazhdimisht nën mesataren e BE-së. Papunësia e lartë tek gratë në Maqedoni është posaçërisht e dukshme tek gratë e bashkësive etnike jo shumicë. Vlerat tradicionale, me reduktimin e grave drejt roleve të tyre tradicionale të amviseve dhe nënave me të cilat po pengohen ato nga të menduarit për një vend pune ose karrierë akoma gjerësisht janë të përhapura në komunitetet lokale, sidomos tek pakicat e ndryshme etnike. Në vitin 2015, shkalla e aktiviteteve të grave në Maqedoni ishte 44.9 përqind, kundrejt 64.3 përqind në BE, thuhet në burimin e Eurostat. Sipas Raportit të Forumit Ekonomik Botëror rë vitit 2016, Maqedonia rangohet në vendi e 103 në botë, me një boshllëk gjinor nga 0.66 në pjesmarrjen në tregun e punës.
Ardiana Ramadani, nga Kumanova thotë se i është ofruar që të përfshihet në projekt, për avancimin e saj në procesin e tregut të punës, ndërsa nuk ka qenë e interesuar më parë.
“Ngurroja për t’u bërë pjesë e trajnimeve të ofruara gjatë projektit, sepse nuk besoja se ata do më ndihmonin. Në fund vendosa që t’u jap mundësi atyre dhe njohuria e grumbulluar më ndihmoi që vetë ta përgadisja një biografi të shkurtër dhe një letër motivimi. I përdora ato për të aplikuar praktrikën profesionale tek agjensia e Punësimit në Kumanovë dhe e fitova. Tani po ndjek praktikë profesionale në Bankën Tutunska dhe kam gjasa për të fituar një punë të përhershme në bankë pas përfundimit të praktikës. Njëkohësisht unë po ndjek një kurs për gjuhë gjermane, të ofruar nga projekti, për pfshirjen e grave në tregun e punës. Kombinimi i praktikës profesionale dhe kursin e gjuhës gjermane do të më ndihmojnë t’i avancoj kapacitet dhe aftësitë e mia dhe si rezultat, gjasat e mia për punësim”, thotë Ardina Ramadani, njofton Almakos.
Ndërsa, studentja Rafeta Kriezi, nga Shkupi, ku ndjek studimet në Fakultetin e shkencave mjekësore thotë se ajo është përfshirë në disa projekte, për avancimin e femrës.
“I tërë projekti i impementuar nga Care dhe Antiko, me të gjitha aktivitet e veta, më ndihmoi në masë që, para së gjithash nëpërmjet praktikës profesionale të organizuar nga projekti. Pjemarrja e praktikës më ndihmoi në ngritjen e njohurive të mia praktike, që është si shtesë e teorisë, të cilën kam mësuar si student e shkencave mjekësore. Veç kësaj kam patur mundësinë që të njihja shumë vjaza të tjera, të komunitetit rom, të cilat kanë marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga projekti. Mësova për konceptet e barazisë gjinore, kërkimin aktiv të punës dhe trajnimet e planifikimit të biznesit”, thotë Kriezi, njofton Almakos.
Sipas rezultateve në Maqedoni është konstatuar se gratë nga grupet etnike jo shumicë po përballen me vështirësi, kur bëhet fjalë për çështjen e punësimit.
D.Kërluku
Almakos.com

