Alsat 2019-09-27T14:20:52+02:00
Mungesa e marrëveshjes për ndarjen e grupit të pavarur të deputetëve nga VMRO-DPMNE-ja nëpër trupat punues në Kuvend anuloi edhe njëherë të gjitha seancat e Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Grupi i pavarur mbledhjen e kaluar kërkoi përfaqësim adekuat, ndërsa negociatat për përfshirjen e tyre nëpër komisione do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës.
Duke e pasur parasysh se dy mbledhjet e kaluara u anuluan me kërkesë të grupit të deputetëve të pavarur, respektivisht kolegut Kërsto Mukoski, i cili siç e shihni nuk është këtu, për t’iu dhënë kohë ndarjes së deputetëve në trupat punues. Me sa kam unë informacione akoma nuk ka marrëveshje dhe do të ishte në rregull nëse jepet edhe pak kohë për marrëveshje dhe të ketë mundësi pjesëmarrjeje edhe kolegu Mukoski. Për këtë arsye kërkojmë të anulohen seancat e komisionit -deklaroi Muhamed Zekiri, Deputet i LSDM-së.
Në seancat e sotme ishte paraparë edhe zgjedhja e drejtorit të Entit Shtetëror të Revizionit, post ky për të cilin jo zyrtarisht flitet se partnerët e koalicionit LSDM-BDI nuk kanë marrëveshje. Marrëveshje nuk ka as me opozitën, pa të cilën për disa pika nuk mund të sigurohet shumicë e nevojshme prej 2/3.
Pasi që njëherë pranova një kërkesë të tillë nga kolegu Mukoski, do të ishte jo korrekte që kërkesën tuaj si deputet i LSDM-së të mos e pranoja. Por duke pa se ka presion të madh ndaj komisionit dhe ndaj meje si kryetar, me të vërtet kërkoj që të përshpejtohet dinamika e vendimeve. Është fakt se procesi është i ndërlikuar për shkak të gjendjes së numrave në këtë komision. Askush nuk mund të sigurojë shumicë. Mund të ndodh për vendime të ndryshme të ketë votime të ndryshme. Edhe kësaj here po tregoj mirëkuptim dhe po jap hapësirë që gjatë fundjavës të diskutohet mes grupeve parlamentare – tha Ilija Dimovski, Kryetar i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.
Në rend dite sot ishin edhe pikat për zgjedhjen e anëtarit të ri të Këshillit Gjyqësor, atë të Këshillit të Prokurorëve Publik zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, anëtarët e Këshillit programor në Radiotelevizionin e Maqedonisë, etj.
Adrian Kerimi
Loading…




