Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është e gatshme të zgjerojë deri në 1 miliard euro programin e mbështetjes financiare për bizneset e vogla dhe të mesme, përmes nismës “Dyfisho sipërmarrjen tënde”.
Gjatë aktivitetit të prezantimit të programit, Rama tha se fondet do të adresohen për sipërmarrësit që kanë plane konkrete biznesi, të cilat do të vlerësohen nga bankat. “Jemi gati të shkojmë në 1 miliard euro mbështetje për biznesin e vogël dhe të mesëm për këdo që kërkon mbështetje financiare. Ama duhet një plan dhe këtë do ta miratojë banka. Nuk janë para që do të shkojnë t’i marrin te sporteli”, u shpreh Rama, duke shtuar se kreditë do të mund të përfitojnë norma interesi 2-3% për projekte të miratuara.
Kryeministri foli edhe për perceptimin e qytetarëve mbi ekonominë, duke thënë se në kohën kur treguesit ekonomikë janë pozitivë, pakënaqësitë shpesh rriten. “Sa më pozitive të jenë shifrat për ekonominë, aq më shumë acarohen njerëzit”, tha Rama, duke e lidhur këtë me pritshmëritë në rritje të shoqërisë dhe kërkesën për më shumë mundësi ekonomike.
Duke komentuar forcimin e lekut, Rama e cilësoi atë si një tregues të suksesit të ekonomisë shqiptare dhe hodhi poshtë pretendimet se ky fenomen lidhet me para të paligjshme. “Forcimi i lekut është sukses i ekonomisë shqiptare. Është një nga treguesit më kokëfortë të suksesit tonë”, deklaroi ai, duke shtuar se pretendimet për “narkopara” nuk përputhen me vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare financiare që monitorojnë ekonominë e vendit.
Sipas Ramës, ekonomia informale mbetet një problem që duhet adresuar, por ai e kundërshtoi lidhjen e ekonomisë shqiptare me aktivitetet kriminale. “Është shumë e ligë t’ia veshësh Shqipërisë këtë lloj kostumi kaq të ndyrë”, tha kryeministri.



