Policia japoneze arrestoi një grua 32-vjeçare me dyshimin se kishte penguar punën e shtëpisë së njohur botuese “Shueisha Inc.” përmes porosive të rreme dhe masive.
Mayu Yoshida i ka pranuar akuzat para organeve kompetente, duke deklaruar se këto veprime i kishte kryer për shkak të stresit.
Sipas informacioneve të policisë, ajo në periudhën nga korriku 2024 deri në maj 2025 kishte porositur sasi të mëdha figurinash dhe produkte të tjera të ndryshme të frymëzuara nga seria e njohur manga “One Piece”. Porositë i kishte bërë përmes dyqanit zyrtar online “Jump Characters” të shtëpisë botuese, dhe më pas i kishte anuluar.
Për të realizuar këtë plan, gruaja kishte përdorur mbi 200 llogari të ndryshme përdoruesish për blerje. Vetë porositë anuloheshin automatikisht sepse ajo ose nuk kryente pagesën brenda afatit të parashikuar, ose qëllimisht refuzonte të merrte paketat e dorëzuara që duhej t’i paguante pas pranimit.
Pasi u përballën me çrregullime serioze në punë, kompania e raportoi rastin në polici në qershor të vitit të kaluar.



