Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë në konferencë për shtyp shprehi gatishmëri që emri i vendit të përmbajë përcaktues gjeografik, duke potencuar se çështje për kontestin me emrin që e ka Maqedonia me Greqinë është thelbësore dhe se duhet të jepet mundësia
që përmes negociatave të gjendet zgjidhja.
“Dua që qytetarët tanë ta dinë, dua që edhe qytetarët e Greqisë fqinje t’i dinë hollësitë, por më shumë dua me të vërtetë të kemi sukses në procesin negociues dhe për këtë është gjithmonë këtu doza e kujdesit. T’i japim shans suksesit dhe me këtë rast do të them: ne jemi të gatshëm për përcaktim gjeografik dhe deri këtu do të ndaloj sepse çështja është thelbësore dhe duhet të japim shans përmes bisedimeve në gjetjen e zgjidhjes”, deklaroi Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp me euroambasadorin Samuel Zhbogar, pas prezantimit të Strategjisë për Ballkanin Perëndimor para ministrave.
Kryeministri i Maqedonisë tha se me vëmendje i përcjellë ngjarjet në Greqi dhe reagimet në vend, por se sado që të jetë e vështirë gjetja e zgjidhjes së kontestit, ai është optimist dhe zgjidhja mund të gjendet.
“Besoj se nëse mbajmë llogari për palën tjetër, për fqinjin tonë jugor dhe nëse ata mbajnë llogari për ne, me këtë rast duke u respektuar, duke mbajtur dinjitetin dhe identitetin, unë jam i bindur se mund të gjendet zgjidhje edhe për këtë problem dy dekadësh e gjysmë”, theksoi Zaev.
Paraprakisht, ministri grek i Punëve të Jashtme , Nikos Koxias në intervistë për Euronjus tha se pret nga Shkupi, “përfundimisht të dalë dhe publikisht të thotë se cila do të jetë parashtresa në emrin e përbërë dhe t’ua sqarojë atë qytetarëve”. Ai pohon se Athina tashmë po e përgatitë terrenin që grekët ta pranojnë emrin e përbërë dhe komenton se nga ana tjetër nuk ekziston një përgatitje e tillë.
Qeveria e Maqedonisë pas këtyre deklaratave të ministrit të jashtëm grek lëshoi kumtesë në të cilën ceket se në takimin bilateral mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras në Forumin ekonomik në Davos, për herë të parë pas dy dekadave i zhbllokuan proceset të cilat çojnë drejt zgjidhjes dinjitoze të çështjeve të hapura të Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë si dy vende evropiane fqinje.
“Për vullnetin e mirë të demonstruar nga të dyja palët opinioni ishte informuar në tërësi”, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp.
Gjetja e zgjidhejs së ndërsjelltë të prnaueshme, siç ishte cekur, është e mundur dhe për atë qëllim në rrjedhë është procesi negociues.
“Nevojitet vullnet i mirë dhe kompromis nga të dyja palët që të arrihet zgjidhja e cila do t’i respektojë dinjitetin dhe identitetin e qytetarëve të të dy shteteve”, qëndron në kumtesë. Nga Qeveria e Maqedonisë theksojnë se për çdo hap të ardhshëm të rëndësishëm gjatë negociatave, opinioni do të informohet sërish në tërësi.
Tabanoc deri në vendkalimin kufitar Bogorodicë, të riemërohet në “Miqësia”, ndërsa në mbledhje e pranoi edhe vendimin që aeroporti “Aleksandri i Madh” prej tani do ta mbajë emrin Aeroporti “Shkupi”. Vendimi u përshëndet nga ana e Ministrisë greke të Punëve të Jashtme.
“Vendimi i sotëm është hap pozitiv për kthesë në atë që ishte bërë gjatë dekadave të fundit dhe i vështirësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai është zhvillim i rëndësishëm në drejtim të përballjes me irredentizmin dhe shpresojmë se do të thotë hapje e një kapitulli të ri në raportet e të dy vendeve dhe dy popujve”, kumtuan nga MPJ greke.
Paraprakisht, zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos deklaroi se rajoni gjeografik Maqedoni nuk i takon ekskluzivisht vetëm Greqisë, por edhe shteteve të tjera.
“E dini shumë mirë se në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, rajoni gjeografik i Maqedonisë nuk i takon ekskluzivisht vetëm Greqisë. 51 për qind e Maqedonisë i takon Greqisë, rreth 30 për qind Bullgarisë, pjesa tjetër i takon IRJM-së dhe një për qind i takon Shqipërisë. Prandaj, nëse kalojmë në thelbin e bisedës, shohim se rajoni gjeografik i Maqedonisë për momentin i takon kombeve-shteteve të ndryshme dhe këtë realitet nuk mund të mos e marrë parasysh politika e jashtme greke”, tha Xanakopullos.
Lidhur me identitetin e Maqedonisë, zëdhënësi i qeverisë greke thotë se të gjithë popujt kanë identitet dhe “asnjë popull nuk mund të privojë një popull tjetër nga identiteti i vet”. Xanakopullos sqaroi se ekzistojnë dy arsye kryesore se përse Greqia konsideron se duhet të zgjidhet problemi. E para është se nuk ka arsye në rajonin tashmë të destabilizuar siç është Ballkani, Athina të kontribuojë për destabilizim shtesë, përderisa arsyeja e dytë është fakti që Maqedoninë tashmë e kanë njohur mbi 100 vende nën emrin kushtetues dhe rreziku në të ardhmen këtë emër ta pranojnë edhe KB-ja.