Deklarata e kryetarit të RDK-së Vesel Memedi se Ali Ahmeti është kryeplaku i shqiptarëve, ka shkaktuar reagime në opinion. Njerëzit po pyesin se si mundet një parti e cila me kundërshtimet e ashpra ndaj Ali Ahmetit dhe partisë së tij fitoi vota në zgjedhje, ta konsiderojë Ahmetin si lider të shqiptarëve ose partive shqiptare.
“Pa marrë ne zyrtarisht një përgjigje nga ky kryeplak, nga ky kryefamiljar i kësaj platforme, Ali Ahmeti, se unë u mundova gjatë kësaj periudhe kohore të realizoj këtë platformë me mbështetjen tuaj. Nuk korra sukses me të parin, nuk korra sukses me të dytin dhe do duhet të na informojë”, tha mbrëmë Vesel Memedi gjatë një debati televiziv.
Por, ndryshe deklaronte Vesel Memedi gjatë fushatës parazgjedhore. Atëherë, ai akuzonte për degjenerim total njerëzor gjeneratën e deritanishme të përfaqësuesve politik shqiptar, ku bën pjesë edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Madje, për t’i shpëtuar shqiptarët nga gjenerata e Ahmetit, Vesel Memedi krahasoi Aleancën për shqiptarët me anijen e profetit Nuh.
“Të nderuar rinist, për shkak të këtij kaosi të vërtetë në skenën politike, për shkak të këtij degjenerimi total njerëzor, Aleanca për Shqiptarët që para gjashtë muajsh ka filluar në ndërtimin e një anije, identike me anijen e profetit Nuh me qëllim që të bëjë shpëtimin e gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, të bëjë shpëtimin e pjesës më vitale të popullit shqiptarë, është rinia”, ka thënë Vesel Memedi gjatë fushatës parazgjedhore në Gostivarë.
Iu drejtuam Lëvizjes për Reforma në PDSH, zëdhënësit të kësaj partie Agon Ferati për ta pyetur nëse ata janë në një vijë me vlerësimet e Vesel Memedit ose ata distancohen nga këto deklarata, por nga LR PDSH mbretëron heshtje e plotë.
Afërsia e drejtuesve të Aleancës për Shqiptarët me BDI-në është vërjetur edhe në një rast tjetër. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në një intervistë së fundmi, ka thënë se ai e ka dërguar Zijadin Selën për të negociuar me Bilall Kasamin e Lëvizjes BESA për takimin e partive shqiptare me arsyetimin se Ahmeti nuk e njeh Bilall Kasamin mjaftueshëm.
“Unë i kam thirrur gjithë partitë politike. E kam thirrë zotrin Zijadin Sela, i kam thënë bisedoni se ju jeni në kontakt dhe njiheni më gjatë. Unë nuk e njoh Kasamin. Atë e kam pasë në BDI më herët por ai ka qenë një funksionar i BDI dhe unë kam plotë funksionarë, nuk e di a më ka rastisë ta shoh dy, tri herë edhe atë për sherret që mi krijonte në degën e Zhelinës”, ka thënë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga LR-PDSH nuk arritëm të marrim qëndrim as për këtë deklaratë të Ahmetit e cila rriti dyshimet në opinion për afërsinë e Aleancës për shqiptarët me BDI-në e Ahmetit.
/SHENJA/