Disa zyrtarë të Departamentit për të Huaj pranë Shërbimeve Administrative të MPB-së janë përfshirë në një hetim për keqpërdorime dhe lëshim të dokumenteve për qëndrim të rregulluar në Maqedoni për shtetas të huaj. Shërbimet e paligjshme janë kryer në zyrat e MPB-së, ku mëngjesin e sotëm janë ndaluar disa persona të punësuar në shërbimet policore.
Sipas informacioneve të para, të dyshuarit kanë lëshuar vërtetime dhe dokumente qëndrimi pa kryer kontrollet ligjore të parapara, duke marrë ryshfet prej qindra eurosh. Shtetasit e huaj mund të qëndrojnë në Maqedoni deri në 3 muaj (90 ditë), dhe nëse e tejkalojnë atë afat, ata dëbohen nga vendi. Por me një dokument qëndrimi të rregulluar, të huajt mund të qëndrojnë më gjatë dhe të kryejnë aktivitete për të cilat kanë marrë lejen (si studime, punë, etj.). Për të shmangur procedurat ligjore, ishte formuar një skemë për lëshimin e dokumenteve të rreme në këmbim të një pagese.
Policia konfirmoi se aksioni është në zhvillim dhe janë kryer bastisje në disa lokacione në Maqedoni.
“Sot (22.05.2025), nga ana e zyrtarëve të Departamentit për luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë dhe Departamentit për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale, janë zbatuar urdhra të mëparshme nga Gjykata Penale Themelore Shkup për provimin e veprave penale ‘keqpërdorim të pozitës zyrtare’, ‘marrje ryshfeti’ dhe ‘ndërmjetësim i paligjshëm’. Në rajonin e Shkupit dhe Shtipit janë kryer bastisje në tetë lokacione në banesa, automjete dhe zyra zyrtare në Qendrën Rajonale për Punë Kufitare – Veri, ku janë gjetur dhe konfiskuar dokumente, telefona celularë, një pushkë ajri pa leje, etj. Pas përfundimit të aksionit, publiku do të njoftohet në mënyrë adekuate,” njoftoi MPB.