Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, në një konferencë për media të enjten, ka komentuar letrën e sekretarit Antony Blinken, drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë.
Sekretari Blinken është, në thelb, optimist”, tha Price.
“Unë mendoj se duhet të jeni optimistë nëse do të jeni në biznesin e diplomacisë”, vuri në dukje ai. “Është ajo që na motivon, mendoj, shumë prej nesh duke e ditur se përmes angazhimit të SHBA-së, përmes udhëheqjes amerikane në skenën botërore, ne kemi një mundësi për të ndryshuar botën për mirë, për ta lënë botën pak më të sigurt, pak më të qëndrueshme, më të begatë dhe të mbushur me mundësi ekonomike për njerëzit në këtë vend, por edhe për njerëzit në mbarë botën”, tha Price. “Mendoj se ai optimizëm shihet i reflektuar në deklaratën që ai lëshoi sot”.
Duke komentuar parashikimet e Sekretarit Blinken se shpërblime të mëdha e presin popullin serb dhe një rajon të tërë pasi presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti të bëjnë “kompromise të vështira”, Price shpjegoi se çfarë shpërblimesh ka në mendje Blinken.
Sekretari Blinken, sipas Price, së bashku me Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretarin që mbikëqyr politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor, “vazhdimisht ka nënvizuar mundësitë që mund të vijnë me një zgjidhje për disa nga këto çështje shumë komplekse dhe të mprehta”.
Ka “mundësi”, sipas Price, që njerëzit e Serbisë dhe Kosovës “ta lënë rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor, pak më stabil, pak më të sigurt, duke ndërtuar në disa raste, fjalë për fjalë, rrugë dhe ura” midis komuniteteve në rajon.
“Kjo është pikërisht ajo që ne po kërkojmë të bëjmë në këtë rast”, tha Price. “Është ajo që ne po kërkojmë të bëjmë, me të vërtetë, me diplomacinë tonë nëpër rajone për të nxitur më shumë ndërlidhje dhe përmes ndërlidhjes së kësaj, ndërtimit të mirëkuptimit, ndërtimit të partneritetit dhe ndërtimit të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit”, shtoi ai.