Pentagon i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë që të paraqesë në Kongres një kërkesë për financim emergjent në vlerë prej 200 miliardë dollarësh, me qëllim mbulimin e kostove të luftës kundër Iranit, e cila tashmë ka hyrë në javën e tretë.
Sipas një raportimi të The Ëashington Post, që citon burime nga administrata, kjo shumë tejkalon ndjeshëm shpenzimet e deritanishme për bombardimet ajrore dhe lidhet me nevojën urgjente për rritjen e prodhimit të sistemeve të avancuara të armatimit.
Buxheti i kërkuar pritet të përdoret kryesisht për rritjen e prodhimit të armëve kritike, të përdorura nga forcat e SHBA-së dhe Izraelit gjatë operacioneve të fundit. Në tre javët e fundit, të dy vendet kanë goditur mijëra objektiva, duke rritur ndjeshëm kërkesën për armatim dhe mbështetje logjistike.
Fondet synojnë gjithashtu të mbulojnë zgjerimin e operacioneve ushtarake në Iran dhe përforcimin e infrastrukturës ushtarake, e cila konsiderohet thelbësore për fazën e ardhshme të konfliktit.
Edhe pse republikanët kanë shprehur mbështetje për financim shtesë, ende nuk ka një strategji të qartë ligjore për miratimin e tij. Situata mbetet e pasigurt edhe për arritjen e pragut prej 60 votash në Senat, i nevojshëm për të kaluar një nismë të tillë.


