Ndryshimet e ligjit për marrëdhënie pune me të cilat parashikohet pensionimi i obligueshëm në moshën 64 vjeçare, të dorëzuara nga grupi i deputetëve, u futën në procedurë kuvendore dhe e kaluan leximin e parë. Përjashtime në sektorin publik do të ketë për kuadrot deficitare nga fusha e shëndetësisë dhe në arsimin e lartë, por ajo do të rregullohet me ligje tjera. Biznesi kërkon që përcaktimi për pensionim të parakohshëm të mos vlejë për sektorin real, por vetëm të lihet mundësi që çështja të rregullohet me marrëveshje ndërmjet punëdhënësit dhe punëtorit, që është në linjë të propozuesve të ligjit dhe të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Në ndryshimet e këtij ligji parashikohet pensionim i obligueshëm në moshën 64 vjeçare, por, megjithatë mbetet mundësia që gratë të pensionohen në moshën 62 vjeçare, siç është e rregulluar në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor.
Sipas analizave të cilat i kanë bërë propozuesit në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, deri në fund të vitit kufirin e moshës për pensionim me 64 vjet do ta arrijnë rreth 6000 persona. Por, siç sqarojnë, kjo nuk do të thotë se sipas ndryshimeve të propozuara ligjore të gjithë ata do të shkojnë në pension, sepse një pjesë e tyre tashmë kanë kërkuar vazhdim të marrëdhënies së punës.
Deri tani të punësuarve u ishte lënë mundësi ta vazhdojnë punën pa mbajtur llogari se a ka nevojë për atë vend pune ose jo. I punësuari ka dorëzuar kërkesë dhe punëdhënësi është dashur ta vazhdojnë marrëdhënien e punës. Pjesa më e madhe e kërkesave për vazhdim të marrëdhënies së punës ishte në sektorin publik.
Ky vendim, sipas propozuesve – grupit të deputetëve, do të mundësojë zvogëlim të numrit të administratës publike. Megjithatë, potencojnë, për vendet të cilat nevojiten, ndërsa do të mbesin të zbrazëta do të hapet mundësi për punësim të të rinjve dhe kuadrove cilësore dhe do të parandalohet ikja e tyre nga vendi.
Opozita reagon se ky vendim ligjor është kundërshtues dhe se mund të shfrytëzohet për punësime partiake plotësuese. Sipas analizave të tyre nuk janë në pyetje vetëm 6000 qytetarë të cilët e plotësojnë kufirin e pleqërisë deri në fund të vitit, por 10 mijë. Për atë kërkojnë të shqyrtohet se si pensionimi i këtyre personave do të reflektojë mbi Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor dhe a do të mund t’i rezistojë baticës.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se Fondi është në kondicion të mirë dhe se ai ka projeksione se sa qytetarë mund të shkojnë në pension për shkak të pleqërisë me 64 vjet të mbushura, sepse nuk dihet prej përpara se sa prej tyre mund të kërkojnë vazhdim të marrëdhënies së punës.
Përjashtimet e ligjit, gjegjësisht mundësia për vazhdim të marrëdhënies së punës për kuadrot në shëndetësi dhe arsimin e lartë, por edhe me marrëveshje të ndërsjellë të punëdhënësit dhe punëtorit në sektorin publik janë të pranueshme edhe për sindikatat dhe biznesin.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se edhe kjo krizë shëndetësore ka treguar se kuadrot në shëndetësi janë të domosdoshme dhe se duhet të mundësohet marrëdhënia e tyre e punës të vazhdohet, nëse vlerësohet se është e domosdoshme.
Biznesi është në qëndrimin se vendimi është i mirë për sektorin publik dhe se në atë privat duhet të vendoset rregullimi i marrëdhënies së punës të bëhet në marrëveshje dhe me pajtim të të punësuarve dhe punëdhënësve.
Nga Organizata e punëdhënësve të Maqedonisë thonë se në sektorin privat ka mungesë të punëtorëve nga profile të ndryshme. “Do të ishte humbëse në mënyrë të detyrueshme të shkohet në pension. Nëse punëtori ndjehet mirë dhe dëshiron të punojë edhe punëdhënësi gjithashtu dëshiron ta mbajë, nëse edhe të dyja palët punëtori dhe punëdhënësi pajtohen se ai mundet të vazhdojë me punë”, thotë Angel Dimitrov nga Organizata e punëdhënësve të Maqedonisë.
Pensionimi i obligueshëm i punëtorëve në moshën 64 vjeçare nuk do të vlejë për sektorin privat, por vetëm për atë publik, potencojnë nga MPPS.
Me ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune parashikohet ndërprerja e marrëveshjeve për punë me moshë prej 64 vjet dhe 15 vjet stazh pensional, përderisa në ligj tjetër nuk është rregulluar ndryshe. Por, kjo çështje është rregulluar edhe me ligjin për sigurim pensional dhe invalidor, në të cilin sipas nenit 18 thuhet se siguruesi ka fituar të drejtë të pensionit të pleqërisë kur të mbushin 64 vjet (burrat), gjegjësisht 62 vjet (gratë) dhe së paku 15 vjet stazh pensional.
Në fund të vitit të kaluar në Fond janë regjistruar rreth 324 mijë shfrytëzues të pensioneve. Sipas të dhënave statistikore mesatarisht çdo vit numri i pensionistëve rritet për rreth 5.000. Me pensionim të obligueshëm në moshën 64 vjeçare , duhet të zvogëlohet shpenzimi buxhetor për paga dhe kontribute, por do të rriten mjetet e nevojshme në fondin pensional për pagesë të pensioneve. Çështje e rëndësishme është nëse këto vende të zbrazëta do të zëvendësohen me punësime të reja. Në atë rast do të rriten edhe shpenzimet për mbulim të pensioneve të reja në FSPI, por do të ketë edhe shpenzime të reja për paga.
Për pagesën e pensioneve këtë vit do të shpenzohen mbi 900 milion euro, ndërsa vitin e ardhshëm janë planifikuar mbi një miliard euro. Edhe krahas stabilizimit për pagesë të rregullt të pensioneve Fondi për sigurim pensional dhe invalidor i Republikës së Maqedonisë së Veriut plotësisht subvencionohet nga Buxheti. Të ardhurat e tërësishme të Fondit vitin e kaluar kanë arritur 75.915,53 milion denarë, ose rreth 1 miliard e 250 milion euro. Prej tyre të ardhura burimore (kontribut nga paga, stazhi i beneficuar, kontribut nga personat fizik të cilët kryejnë veprimtari në mënyrë të pavarur dhe të punësuarit te ato, kontribut nga bujqit individual dhe Agjencia për punësim) janë 41.927,10 milion denarë, ose rreth 680 milion euro. Nga Buxheti vitin e kaluar Fondi ka marrë 29.098,22 milion denarë ose rreth 500 milion euro. Fondi ka pasur edhe të ardhura prej 39,02 milion denarë nga dividenta dhe shitja e aksioneve dhe 4.472,58 milion denarë nga të ardhurat tjera, ndërsa 1.378,61 milion denarë nga akcizat.
Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror për Statistikë shkalla e papunësisë prej 16,7 për qind është evidentuar në kuartalin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara numri i të papunësuarve në këtë kuartal arrin 159.623, ndërsa numri i të punësuarve 793.416. Në vend ka 953.039 qytetarë aktiv.




