Policia e Tiranës ka dhënë sqarime për ngjarjen e raportuar një natë më parë, ku u përmendën akuza për një pengmarrje nga disa persona. Sipas njoftimit të policisë, pas hetimeve të kryera, janë identifikuar dhe shoqëruar në komisariat 5 shtetas, ndërmjet të cilëve ishte edhe roja i një subjekti privat në afërsi të ngjarjes.
Nga deklaratat e këtyre shtetasve, shqyrtimi i pamjeve filmike dhe hetimet e tjera kanë treguar se ngjarja ka qenë një keqkuptim. Sipas policisë, të shoqëruarit, të afërm të njëri-tjetrit, gjatë një rasti familjarë kishin konsumuar alkool. Kur ata ishin drejtuar për të marrë automjetin e parkuar, kishin komunikuar me njëri-tjetrin me zë të lartë, por nuk kishte pasur asnjë pretendim për konflikt apo dëme të tjera.
Njoftimi:
-Në lidhje me një video të postuar mbrëmë, në portalin “JOQ”, me mbishkrimin se në afërsi të një subjekti privat në rrugën “Gjergj Legisi”, disa shtetas po dhunonin dhe merrnin me forcë në automjet, një shtetas, sqarojmë se:
Menjëherë pas publikimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit. Gjatë veprimeve hetimore u identifikuan dhe u shoqëruan në ambientet e komisariatit, 5 shtetas, ndërmjet tyre dhe roja i subjektit privat në afërsi të të cilit ishin ata.
Nga deklarimet e këtyre shtetasve, këqyrja e imtësishme e pamjeve filmike dhe veprimet e tjera hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, të afërm të njëri-tjetrit, gjatë kohës që kanë qenë në një rast familjar, kanë konsumuar alkool, dhe kur kanë shkuar për të marrë automjetin e parkuar, kanë komunikuar me njëri-tjetrin, me zë të lartë. Asnjëri prej tyre nuk ka pretendime për konflikt apo dëme të tjera. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim vlerësimin juridik të rastit.