Liderët e partive parlamentare në Maqedoninë e Veriut mblidhen pasditen e kësaj të diele në vilën presidenciale “Villa Vodno”, ku do të diskutojnë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Në takimin e organizuar nga presidenti Stevo Pendarovski janë shprehur se do të marrin pjesë të gjithë të ftuarit, shumica prej të cilëve janë për zgjedhje të parakohshme, të cilat u kërkuan një ditë më parë nga kryeministri Zoran Zaev pas mosmarrjes së një date për çeljen e negociatave të anëtarësimit nga Këshilli Evropian. Zaev e konsideroi faktin se BE nuk arriti të merrte vendim për negociatat si një gabim historik.
“Organizim sa më shpejt të jetë e mundur e zgjedhjeve të parakohshme ku qytetarët të tregojnë se në cilën rrugë do të shkojmë më tej”, deklaroi kryeministri.
Lideri i VMRO-DPMNE-së në opozitë Hristian Mickoski, ndërkohë është shprehur se pret që në takimin e kësaj të diele të arrihet marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërkohë që ka vënë në dukje se nuk do të pranojë zgjedhje pa qeveri teknike, dhe asgjë siç u shpreh ai që është jashtë dispozitave ligjore.



