Presidenti Stevo Pendarovski në intervistë për Klan Maqedoni, koalicionin parazgjedhor ndëretnik mes LSDM-së dhe Lëvizjes BESA e ka karakterizuar si të rëndësishme në drejtim të përforcimit të kohezionit të brendshëm në Maqedoninë e Veriut. Ai personalisht nuk ka problem që Gjuha Shqipe në Kushtetutë të emërohet në mënyrë përkatëse, por shton se kjo mund të shkaktojë kërkesa tjera që do të përfundonin me “pazare politike”. Për Presidentin Pendarovski, Marrëveshja e Prespës është punë e kryer, derisa për zbatimin e Marrëveshjes me Bullgarinë, pranon se mund të zhvillohet me probleme.
Fakti që në vitin 2016 kishte shumë shqiptarë që votuan një parti maqedonase dhe më vonë edhe për të si kandidat për president, për shefin e shtetit Stevo Pendarovski është tregues se në Maqedoninë e Veriut është bërë një hap i madh drejt përforcimit të kohezionit të brendshëm. Në këtë kontekst e sheh edhe koalicionin parazgjedhor mes LSDM-së dhe Lëvizjes BESA.
“Nuk mund të themi se nuk është një hap pa precedencë në historinë e deritashme politike kur dihet se shprehimisht dhe simbolikisht jemi shikuar “përmes shënjestrës së pushkës”. Kemi shikuar vetëm të gjejmë mangësi tek tjetri dhe me retorikë nacionaliste të fitojmë pikë politike. Tani kemi njerëz që janë në të njëjtën listë”, ka thënë Pendarovski.
I pyetur se përse nuk u angazhua për ndryshimin në pjesën e Kushtetutës ku gjuha shqipe përshkruhet si “gjuhë e 20 përqindëshit të popullatës, presidenti Pendarovski thotë:
“Unë thash se nuk kam asnjë problem të emërohet gjuha shqipe si shqipe, pa u shkruar gjuha që e flasin 20% e popullatës”.
Sipas tij, bëhet fjalë për ndryshimin e kushtetutës dhe e dini se çdoherë siç shton “kur ka ndryshime kushtetuese njerëzit thonë – nëse fillohet me ndryshime do të ketë kërkesa tjera, dhe kjo në fund, do të shndërrohet në pazar politik”.
Në intervistën për Klan Maqedoni, presidenti Pendarovski thotë se Marrëveshja e Prespës është punë e kryer. Por, lidhur me Marrëveshjen për fqinjësi me Bullgarinë, ai nuk përjashton problemet, duke marrë parasysh Deklaratën e miratuar në Kuvendin bullgar që kontestohet gjuha maqedonase dhe disa veçori identitare.



