Presidenti Stevo Pendarovski sot në Novi Sad u takua me homologun e tij slloven Borut Pahor në kuadër të Forumit të katërt rajonal rinor.
Siç kumton Kabineti i presidentit, në takim u vlerësua se të dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera të cilat karakterizohen me miqësi dhe mirëkuptim të ndërsjellë, ndërsa u këmbyen edhe mendime për mundësitë për avancim të mëtutjeshëm dhe zgjerimin e bashkëpunimit në shumë fusha nga interesi i ndërsjellë.
“Për Maqedoninë e Veriut nuk ekziston alternativë tjetër, përveç integrimit evropian”, potencoi presidenti Pendarovski.
Ai i falënderoi për bashkëpunimin konstruktiv të Sllovenisë për aspiratat e vendit tonë për anëtarësimin në BE dhe NATO , që u konfirmua me ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe mbështetjen e vazhdueshme në kuadër të Bashkimit Evropian, thuhet në kumtesë.
Pahor në takim i përsëriti angazhimet e Sllovenisë për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
“Në këtë drejtim, Pendarovski shtoi se integrimi i Maqedonisë së Veriut, si dhe vendeve tjera të Ballkanit Evropian në strukturat evropiane do të jetë kontribut i madh ndaj stabilizimit të përhershëm të rajonit, si dhe prosperitetit të shoqërive tona”, thuhet në njoftimin e Presidencës.



