Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski ka vlerësuar takimin e liderëve politik shqiptarë të Maqedonisë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Sipas Pendarovskit Shqipëria është partnere e Maqedonisë në NATO dhe nuk paraqet kërcënim të sigurisë për vendin e tij.
Stevo Pendarovski: Ka kaluar koha kur duhej të shohim proceset politike ose ngjarjet, takimet që ndodhin në Tiranë si kërcënim të sigurisë për ne. Mos harroni. Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s. Republika e Shqipërisë bashkë me ne nisi bisedimet për anëtarësim në BE. Republika e Shqipërisë është mik i yni. Nuk kam asnjë dyshim në qëllimet e kryeministrit shqiptar, që e njoh mirë, e njihni edhe ju. Nuk mendoj se atje krijohen skenare anti-maqedonase.
Për qëndrimet e papranueshme lidhur me këtë çështje të opozitës dhe nëse ai e njeh agjendën e dikujt tjetër në prapavijë, Pendarovski thotë se nuk mund të spekulojë dhe se nuk ka informacione të tilla për të pohuar se pas një qëndrimi kaq të ashpër të opozitës fshihet ndonjë agjendë tjetër.