26 Janar
Këshilli penal i Gjykatës Themelore Shkipi 1 vendosi që të ndërpresë arrestin shtëpiak të deputetes Zhaklina Peshevska dhe ju caktua masa e kujdesit. Vendimi i këshillit erdhi pas kërkesës së Prokurorisë Publike, për zbutjen e masës për tre nga të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill.
Vendimi për deputeten Peshevska
“I ndalohet lëshimi i vendbanimit, detyrohet për paraqitje në Gjykatë, i konfiskohen dokumentet e udhëtimit dhe i ndalohet marrja e dokumenteve të reja si dhe i caktohet ndalesë për përafrim ose kontakt të vazhdueshëm me persona të caktuar.”
Ish drejtorit të Operës Igor Durllovskit dhe punonjëses së Kuvendit Elena Docevska-Bozhinovska u ndërpritet paraburgimi dhe u caktohet masa e arrestit shtëpiak. Ndërkohë, për ish drejtorin e BSP-së, Mitko Çavkov, deputetët e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukoski, Sashe Vasilevski, Ljuben Arnaudov, organizatorët e protestave Bogdan Ilievski dhe Boris Damovski si dhe të dyshuarit tjerë, vazhdohet masës së paraburgimit, kurse për deputetët Johan Tarçullovski dhe Lubço Dimovski, përfshi këtu edhe të dyshuar të tjerë për “cenim terrorist të rendit kushtetues”, vazhdohet masa e arrestit shtëpiak.
Më 28 nëntor, me urdhër të Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe më kërkesë të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, policia arrestoi 36 persona si të dyshuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues” lidhur me zhvillimet e përgjakshme në Kuvend më 27 prill të vitit kaluar. Në të njëjtën ditë, policia kreu bastisje në shtëpitë e deputetëve Trajko Veljanovski dhe Vesel Memedi, pas çka edhe konfiskoi telefonat e tyre celular. Aktualisht hetimet për 27 prillin e përgjakshëm ndiqen nga Prokuroria Publike dhe Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion.
Adrian Kerimi

