Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të jenë të korodinuara, sa i përket mënyrës së mësimit të nxënësve me sëmundje kronike. Kështu thotë pediatri Ylber Kokale, për TV Shenja. Për këta fëmijë, shprehet Kokale mund të ketë mësim online, mirëpo nëse bashkëpunojnë trekëndëshi, nxënës, prind dhe mësues edhe ky grup i fëmijëve mund që të shkojnë në shkollë.
Ylber Kokale, pediatër
“Ndaj mendimin që për të sëmurët kronik, është edhe e tolerueshme që të ketë mësim online, por edhe për ata mund të bëhet një zgjidhje adekuade duke i kordinuar protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë me Ministrinë e Arsimit. Në këtë mënyrë edhe ata të mos lihen mënjanë, sepse pikërisht ajo grupmoshë, ka shumë nevojë që të socializohen në qendrat e edukimit dhe arsimimit”.
Pediatri Kokale vlerëson se nuk ekziston aspak rrezik që fëmijët deri në moshën 15 vjeçare të ndjekin mësimin me pjesëmarrje fizike. Prekshmëria e këtij grupi të shoqërisë me Covid-19 sipas tij, është tejet e ulët.
Prandaj bënë apel që duke respektuar protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë, duke respektuar protokollin e OBSH-së dhe duke respekuar të gjitha standardet, duhet që sa më shpejtë fëmijët të ndjekin mësimin me pjesmarrje fizike në shkolla.
Ylber Kokale, pediatër
“Të ju them të drejtën si pediatër e ndaj mendimin që është e detyrueshme dhe e obligueshme vazhdimi i mësimit fizik, për shumë arsye. Arsyeja e parë është se fëmijëve ju mungon edukimi, ju mungon arsimi, ju mungon socializimi nëpër shkolla. Në këtë mënyrë të zhvillimit të mësimit online, jam i mendimit që nuk është mësim adekuad dhe ka për të lënë shumë pasoja në të ardhmen. E them këtë edhe për një arsye tjetër, si pediatër ndaj mendimin se prekshmëria e sëmundjes Covid-19, e pandemisë, është shumë e rrallë, e atakuar tek fëmijët e kësaj moshe deri në klasën e nëntë, deri te fëmijët e moshës 15-16 vjet”.
Pediatri Kokale mendon se duke pasur parasysh se tani fillon edhe gripi sezonal, është shumë e vështirë siç thonë edhe ekspertët botëror, për t’u dalluar Covidi-19 nga gripi sezonal. Mirëpo, ai sugjeron që të shtohet numri i vaksinave të gripit sezonal dhe me shtimin e numrit të vaksinimit vlerëson se ka mundësi që kjo situatë të menaxhohet.




