Gjykatësi që do refuzojë ta deklarojë pasurinë ose nuk do të raportojë një ndryshim të konsiderueshëm të gjendjes së tij pasurore mund të shkarkohet. Por, vetëm nëse sistemi e zbulon atë në kohë. Në Maqedoni ka gjykatës që janë kapur duke marrë ryshfet dhe për këtë janë dënuar dhe shkarkuar, por nuk ka as edhe një gjykatës që e ka humbur vendin e tij të punës sepse ka refuzuar ta deklarojë pasurinë, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Në të shumtën e rasteve sanksioni për mosdeklarimin e pasurisë është një gjobë prej 150 eurosh. Ka gjykatës të cilët nuk mbajnë përgjegjësi as për kundërvajtje, sepse ndodh vjetërsimi i kundërvajtjes.
BIRN analizoi se sa gjykatës në Maqedoni e deklarojnë pasurinë e tyre. Gjetjet tregojnë se institucionet vonojnë me kontrollet, ndërsa kundërvajtjet vjetërsohen.
E pa deklaruar dhe e vjetërsuar
Po të mos kishte qenë për hetimin të cilin e ngriti prokurorja Iskra Haxhi Vasileva, publiku nuk do të kishte mësuar se në murin e shtëpisë familjare të prindërve të gjykatësit të apelit Gjoko Ristov u gjetën 350 mijë euro.
Në brifingun me gazetarët prokurorja tha se në varakët me të cilat ishin mbështjellë paratë ka pasur shenja të gishtërinjve të gjykatësit, ndërsa në vetë dhomën ka pasur edhe fletë në të cilat kanë qenë të shkruara numra të lëndëve gjyqësore.
Përveç këtyre parave të murosura, për fitimin dhe fshehjen e të cilave e akuzon prokuroria, Ristov nuk ka deklaruar edhe një apartament në lagjen Karposh të Shkupit me sipërfaqe prej 143 metra katrorë, edhe pse është i detyruar ta deklarojë atë pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Në deklaratën e fundit mbi gjendjen e pasurisë nga muaji janar i vitit 2021, të cilën BIRN e siguroi nga KSHPK, shkruan se gjykatësi posedon një apartament në Shkup me sipërfaqe prej 70 metra katrorë, një automjet “Passat” 13-vjeçar dhe paguan dy kredi, të tijën dhe të bashkëshortes së tij.
Pesë muaj më vonë, në maj të vitit 2021, Ristov ka marrë një apartament si dhuratë, por nuk e ka deklaruar atë. Ai apartament nuk është regjistruar as si pronë e bashkëshortes së tij, prokurores shtetërore Simona Zoriq-Ristova.
Apartamenti nuk është pjesë e aktakuzës kundër Ristovit. “Hetimi financiar tregoi se ai apartament ishte dhuratë nga babai i tij”, konfirmoi prokurorja Haxhi Vasileva.
Për këtë pronë të padeklaruar KSHPK mund t’i shqiptojë gjykatësit Ristov masë kundërvajtëse. Gjoba është 300 euro, ndërsa nëse e paguan atë brenda 8 ditëve, ajo përgjysmohet në 150.
“Për gjykatësin në fjalë, në periudhën kur u hap lënda, vendosëm të mos ngrejmë procedurë, sepse prokuroria hapi lëndë. Nuk kemi procedurë aktive në lidhje me apartamentin në fjalë, ndërsa kemi mundësi të kontrollojmë”, tha kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçulj.
Por, antikorrupsionerët nuk mund të ngrenë as procedurë kundërvajtëse kundër tij, sepse afati për përcaktimin e kundërvajtjes është shumë i shkurtër, dy vjet dhe lënda është vjetërsuar.
Çuçulj thotë se disa gjykatësve që i kanë kontrolluar me përzgjedhje të rastësishme ose sipas planit vjetër, u janë vjetërsuar kundërvajtjet.
“Kapacitetet tona janë të limituara. Duhet ta zbulojmë menjëherë diçka që ai e ka blerë, por që nuk e ka deklaruar.”
Ata kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshillit i Prokurorëve që t’i detyrojnë gjykatësit dhe prokurorët që pasurinë që e kanë deklaruar në letër ta deklarojnë në formë elektronike.
“Sistemi i ri elektronik është shumë më i detajuar dhe nuk lë mundësi për gabime. Vetë sistemi merr të dhëna nga Kadastra. Të gjitha llogaritë transaksionale duhet të deklarohen. Në formularët e vjetër nuk i deklaronin të gjitha “, thotë ai.
Mandat i përhershëm dhe pasuri “e ndryshueshme”
Gjykatësit, prokurorët dhe anëtarët e Këshillave Gjyqësorë dhe të Prokurorëve janë ndër ata zyrtarë për të cilët refuzimi i deklarimit të pasurisë ose mosdeklarimi i pasurisë në masë të konsiderueshme është bazë për një shkelje të rëndë disiplinore dhe shkarkim.
Kjo është kështu sepse këta janë zyrtarë me mandat të përjetshëm dhe janë më të ekspozuar ndaj ndikimeve nga qendra të ndryshme të pushtetit.
Gjykatësit duhet të dorëzojnë një përshkrim të detajuar të pasurive të patundshme, gjësendeve me vlerë që i tejkalon njëzet paga mesatare neto, aksioneve, borxheve ose pronës në pronësi të tyre ose të anëtarëve të familjes së tyre.
Në Programin Zgjedhor VMRO–DPMNE premtoi “një kontroll të plotë të pasurive të gjykatësve dhe familjeve të tyre, me qëllim veçimin e qartë të gjykatësve të ndershëm nga ata të pandershmit”. Deri më tani, të paktën publikisht, nuk ka pasur kurrfarë iniciativash për këtë çështje.
Nëse një gjykatës refuzon ta deklarojë pasurinë e tij ose e deklaron atë, por ka fituar pasuri në një sasi të konsiderueshme dhe nuk e ka deklaruar atë, ai mund të shkarkohet nga detyra. Kjo dispozitë për herë të parë u përcaktua në Ligjin për Gjykatat në vitin 2019.
Ideja për ta prezantuar këtë nen është “pasojë e detyrimit që buron nga Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, i cili përcakton një detyrim për deklarimin e gjendjes pasurore”, tha për BIRN ministrja e atëhershme e drejtësisë, Renata Deskoska.
“KSHPK duhet të konstatojë mospërputhje të deklaratës me gjendjen pasurore faktike, e pastaj Këshilli Gjyqësor të zhvillojë procedurë për shkarkim”, shpjegoi ajo.
Por, as Këshilli Gjyqësor nuk mund të ngrejë procedurë disiplinore kundër Ristovit.
Për të ngritur procedurë disiplinore për mosdeklarim pasurie, kjo duhet të bëhet brenda gjashtë muajve nga dita e zbulimit të shkeljes së kryer, por jo më vonë se tre vjet nga dita kur është kryer shkelja.
Ky afat ka kaluar prej kohësh.
Pasuri e padeklaruar pa pasoja
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, thotë se vitet e fundit kanë zhvilluar dy procedura për pasuri të padeklaruar, për njërën prej të cilave kërkesa është refuzuar për shkak të vjetërsimit.
Sipas Kambovskit, ky është një problem: “Nëse këto afate kanë kaluar, nuk mund të zhvillohet procedurë.”
Thënë ndryshe, nëse një gjykatës fiton pasuri dhe refuzon ta deklarojë atë, dhe nëse kanë kaluar tre vjet, nuk ka asnjë mënyrë që ai të shkarkohet.
Kambovski tha se Këshilli Gjyqësor nuk ka listë të gjykatësve që nuk e kanë deklaruar pasurinë në KSHPK, ose të atyre që kanë pasur një ndryshim të konsiderueshëm të pasurisë së tyre për të cilin nuk kanë dorëzuar një deklaratë mbi gjendjen e tyre pasurore.
Shtatë vjet që kur ky nen ekziston në ligj, pavarësisht faktit se KSHPK-ja ka vërtetuar se ka pasur gjykatës dhe kryetarë gjykatash që nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre, deri më tani nuk ka pasur asnjë procedurë disiplinore kundër një gjykatësi mbi këtë bazë ligjore.
Janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse, por nuk ka ndodhur që një gjykatës të jetë shkarkuar për refuzimin e deklarimit të pasurisë ose për fitimin e pasurisë në një shkallë të madhe, të cilën ai nuk e ka deklaruar.
Biljana Ivanovska, ish-kryetare e KSHPK-së, kujton se gjatë kohës që ajo ishte në këtë detyrë, ata kishin për detyrë të kryenin një “veting të vogël”, pra një kontroll të pasurisë së gjykatësve.
Këtë e kanë bërë në atë mënyrë që në planin vjetor për kontroll të gjendjes pasurore i kanë vënë gjykatësit.
“Meqenëse nuk gjetëm të dhëna statistikore për ankesat për gjykatësit ne kaluam në kontroll të pasurive të të gjithë kryetarëve të gjykatave. Nga rreth tridhjetë kryetarë, rreth dhjetë ose kishin harruar ta deklaronin ose kishin të dhëna joadekuate që dallonin nga ato zyrtare”, thotë ajo.
“për këtë kishim më shumë se 10 denoncime në Këshillin Gjyqësor, por për asnjërin prej gjykatësve nuk kemi dëgjuar të jetë shkarkuar.”
Ivanovska thekson edhe një herë se shteti duhet ta miratojë ligjin mbi prejardhjen e pasurive, i cili nuk do të vlejë vetëm për gjykatësit, por edhe për të gjithë zyrtarët dhe qytetarët e tjerë.
Vitin e kaluar gjashtë gjykatës nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre
Vitin e kaluar dhe në dy muajt e parë të vitit 2026 gjithsej gjashtë gjykatës nuk kanë dorëzuar deklaratë të pasurisë së tyre në KSHPK. Për ta, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka formuar lëndë dhe ka inicuar procedura kundërvajtëse, të cilat janë në vazhdim.
Në rastet e rralla kur janë ngritur procedura kundërvajtëse kundër gjykatësve, ato janë kontestuar.
Procesverbali për kundërvajtje për pasuri të padeklaruara në KSHPK nga viti 2022, në të cilin kishte qasje BIRN, tregon se për u.d. kryetar i gjykatës në Strumicë ka pasur dy urdhëresa për kundërvajtje. Njëra për atë se nuk ka dorëzuar fletë anketuese për deklarimin e pasurisë dhe e ka paguar atë. E dyta sepse nuk e ka deklaruar pasurinë pas përfundimit të mandatit të tij.
KSHPK i kontrolloi pasuritë e pesë gjykatësve që ishin të përfshirë në Raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2019, por për asnjërin prej tyre nuk u konstatua pasurim joproporcional.
Nga KSHPK thonë se nuk mund të kontrollojnë se sa gjykatës kanë fituar pasuri dhe nuk e kanë deklaruar atë, sepse këtë e bëjnë vetëm individualisht, nëse një gjykatës konkret është i përfshirë në planin e tyre për kontrollim.

Kreu i KSHPK-së thotë se vetë sistemi nuk “alarmon” nëse një zyrtar ka blerë pronë, por nuk e ka deklaruar atë brenda afatit ose ka fituar një pasuri më të madhe që i tejkalon të ardhurat e tij.
Por, ata po punojnë për përmirësimin e sistemit që duhet t’i eliminojë këto mangësi.
Këtë vit do të kontrollohen pasuritë e dhjetë gjykatësve, thotë kryetari i KSHPK-së. Një ekspert u ka zhvilluar metodologji me algoritëm, sipas të cilit vetë sistemi elektronik do t’i “selektojë” emrat për kontrollim.
Por, deri më tani në këtë mënyrë kontrollohen vetëm gjykatësit që kanë deklaruar pasurinë e tyre në mënyrë elektronike. Për këtë arsye Çuçulj u bën thirrje gjykatësve ta deklarojnë pasurinë e tyre në mënyrë elektronike, përveç asaj në letër, siç kërkon Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit.


