14 April
Shkupi dhe shumë qytete të tjera të Maqedonisë thuajse janë zbrazur tërësisht. Rrugët nga të cilat jo më larg se dy ditë më parë ngriheshin tensione dhe bëhej thirrje për mbrojtjen e shtetit sepse gjoja ajo kërcënohej nga Tirana janë boshe. As zhurma e deputetëve të cilët ishin shumë të zëshëm këtë periudhë nuk dëgjohej. Dyert e dritaret e Kuvendit nga ku çdo ditë u mësuam të dëgjonim fjalë të “mëdha”, sot ishin të mbyllura. Deputetët së bashku me protestuesit apo “mbrojtësit” e Maqedonisë zgjodhën të pushojnë në kohën kur kriza politike ka arritur kulmin e saj.
“Pavarësisht krizës së thellë institucionale dhe politike në të cilën ndodhet vendi dhe pavarësisht presionit ndërkombëtar për ta zgjidhur të njëjtën, deputetët i dhanë pushim vetes për pesë ditë. Bosh është rruga para Kuvendit, ku për 45 ditë me radhë protestohej kundër dygjuhësisë. Edhe protestuesit e lanë “pa mbrojtje” Maqedoninë, nga siç thoshin vetë “Rreziku i federalizimit dhe kantonizimit”.
Qytetarët e anketuar nga Alsat u shprehën të revoltuar me veprimin e deputetëve. Ata thonë se ky nuk është momenti kur të zgjedhurit e popullit mund t’ia lejojnë vetes luksin e të pushuarit, sidomos kur një pjesë e qytetarëve nuk ka as bukë për të ngrënë.
“Sipas meje nuk ka as deputetë e as shtet. E falimentuan edhe Kuvendin edhe shtetin. Duhet të gjithë të nxirren jashtë. Të gjithë tërësisht. Këtij vendi i duhet revolucion, nuk i duhet as deputetë, as asgjë, ose të intervenojë ndonjë forcë e jashtme. Përndryshe, ne mbetëm të uritur. Nuk punon asgjë”.
“Deputetët nuk e ndjejnë në vete se ka krizë populli. Ata mirë janë, i marrin rrogat me kohë, në punë nuk shkojnë, nuk iu intereson fare për popullin. Prapë populli i ka fajet që i ka votuar”.
“Momenti më i keq është tani. Është momenti kur shteti shkon teposhtë. Ata nuk e kanë dert se populli nuk ka për të ngrënë e për të pirë”.
“Ata kot nuk duhet ta marrin pushimin absolutisht, sepse ata pushim e kanë me vite e vite me radhë. Çfarë ju duhet pushimi?! Ata në pushim kanë qenë gjithmonë”.
Të mërkurën kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Veljanovski e shpalli ditë jo pune të enjten duke njoftuar se seanca konstituive do të vazhdojë të martën, pasi të përfundojë festa e Pashkëve.
Anesa Aliti