Ngjarja e ndodhur më 2 gusht në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, nuk ishte thjesht një incident sportiv, por një shfaqje tronditëse e urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve. Në vend që të dëgjoheshin brohorima sportive dhe mesazhe bashkëjetese, tribuna u mbush me thirrje si:
“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”,
“Dhoma e gazi për shqiptarët”,
“Maqedoni e pastër”.
Këto parulla, që rikujtojnë kapitujt më të errët të historisë evropiane, u dëgjuan në prani të krerëve më të lartë shtetërorë – përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Brendshëm Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq dhe të tjerë – pa asnjë reagim.
Edhe pse ngjarja ishte publike dhe e dokumentuar, heshtja institucionale ka qenë totale: nga Federata e Basketbollit, MPB-ja, organizatorët, e deri te Qeveria. Asnjë qëndrim zyrtar, asnjë distancim. Kujtojmë se raste të ngjashme, si ai i policit që hodhi flamurin shqiptar në tokë në Kumanovë më 28 Nëntor, janë shpërblyer në vend që të ndëshkohen.
BDI, në një reagim të fortë, thekson se nuk do të lejojë që shqiptarët të bëhen objekt i thirrjeve fashiste në një shtet ku janë bashkëthemelues. Duke e konsideruar heshtjen institucionale si të papranueshme, BDI kërkon:
Dorëheqje të menjëhershme të Astrit Isenit, zëvendësministër i Punëve të Brendshme,
Dorëheqje të Safije Sadiki Shainit, zëvendësministre për Sport,
për mosveprim, heshtje dhe mungesë të çdo reagimi në mbrojtje të dinjitetit qytetar dhe bashkëjetesës ndëretnike.
Po ashtu, u bëhet thirrje të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri që:
Të distancohen publikisht nga kjo ngjarje e turpshme,
Të kërkojnë sanksione të rënda në mbledhjen e ardhshme qeveritare,
Të tërhiqen nga një Qeveri që nuk reagon, por toleron dhe shpërblen gjuhën e urrejtjes.
Në deklaratën e saj, BDI është e prerë:
“Çfarë të duhet pushteti, kur të fyhet nëna?
Çfarë të duhet pushteti, kur të fyhet flamuri?
Çfarë të duhet pushteti, kur të poshtërohen kombi dhe gjaku yt?
Nëse heshtja është çmimi për të mbetur në pushtet, atëherë heshtja është tradhti.”
BDI njofton se do të qëndrojë në krye të reagimit politik, institucional dhe qytetar, derisa të ketë drejtësi dhe përgjegjësi për këtë ngjarje të rëndë që rrezikon themelet e bashkëjetesës ndëretnike në vend.