Pas referendumit të suksesshëm pritet të avancohen hetimet e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) lidhur me rastin “Regjistrimi”, ku të dyshuar kryesorë janë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ish kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Ekspertët juridikë mendojnë se me vetë faktin që lënda për këtë rast ka kaluar nga faza parahetimoire, në fazë hetimore, tregon se së shpejti do të hapet proces gjyqësor dhe se Ahmetin e Gruevskin do t’i shohim bashkë në bankën e të akuzuarëve.
“Pas referendumit të suksesshëm, do të ulet ndikimi i Rusisë në Maqedoni dhe do të krijohen kushte më të volitshme për reforma në gjyqësi. Mendoj se me këtë do të hapet rruga për punë më efikase të PSP-së në rastin Regjistrimi”, ka deklaruar për Gazetën Lajm një ekspert juridik shqiptar, që dëshiron të mbetet anonim. Sipas tij, Ahmeti dhe Gruevski mund të shpresojnë të shëptojnë nga ky rast vetëm nëse dështon referendumi.
Javën e kaluar, Prokuroria Speciale Publike ka sjellur detajet e fundit lidhur me rastin “Regjistrimi”. Këto detaje PSP i ka sjellur në kuadër të raportit për gjashtëmujorin e fundit të punës së saj.
Në këtë raport, thuhet se rasti “Regjistrimi” është “avancuar” dhe nga rasta parahetimor, tani është rast në hetim.
“Si rezultat i procedurës së realizuar parahetimore është sjellur Urdhër për realizim të procedurës hetimore NSK-KO nr.2/18 nga data 20.03.2018 kundër 2 personave për shkak të dyshimit të bazuar se të dyshuarit kanë kryer vprën penale “Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare” nga neni 353 paragrafi 5 v.v. me paragrafin.4 v.v. me paragrafin 1 v.v. me nenin.22 nga Kodi penal i Republikës së Maqedonisë. Lënda është në fazë hetimore, në kuadër të së cilës janë ndërmarrë më shumë veprime hetimore”, thuhet në raportin e PSP-së.