Zonat e largëta në Groenlandë kanë mbetur pa qasje në shërbimet kyçe që varen nga sinjalet satelitore, duke përfshirë internetin dhe telefonat, tha grupi më i madh i telekomunikacionit të Groenlandës mbrëmë vonë, dhe njoftoi se do të hetojë nëse humbja e sinjalit ishte e lidhur me rënien masive të rrjetit elektrik të Spanjës.
Kompania e telekomunikacionit të Groenlandës, Tussass, tha në një deklaratë se kishte humbur lidhjen me një qendër komunikimi satelitor të vendosur në Spanjë, nga e cila ofrohen shërbime telefonike, interneti, televizioni dhe radioje, raporton Reuters.
“Aktualisht, ne nuk kemi një lidhje me qendrën tonë të lidhjeve satelitore në Maspalomas, Spanjë, nga e cila varet ofrimi i shërbimeve për përdoruesit në zonën tonë satelitore”, tha kompania Tussass në një deklaratë.
Zonat e prekura janë vendbanime të largëta në Groenlandë dhe ende nuk është e mundur të thuhet me siguri se sa njerëz preken nga kjo ndërprerje e sinjalit satelitor.
Vonë mbrëmë, energjia elektrike filloi të rikthehej në shumë zona të Gadishullit Iberik, pasi një ndërprerje masive e energjisë la pjesën më të madhe të Spanjës dhe Portugalisë pa energji elektrike.