Partitë shqiptare të Maqedonisë nënshkruese të deklaratës së përbashkët thonë se rëndësi ka platforma dhe jo afatet kohore për realizimin e së njëjtës. Duke pasur parasysh se për disa nga pikat e dala nga platforma nevojiten 2/3 e votave në Kuvend, nga Lëvizja Besa për Alsat-M theksojnë se pikat që kërkojnë shumicën e thjeshtë do të realizohen tani, ndërsa ato për të cilat nevojiten 2/3 e votave do të realizohen atëherë kur të sigurohen numrat.
“Ato pika për të cilat nevojitet shumicë e thjeshtë do i bëjmë sot, ndërsa për pikat që në Kuvend kërkohen 2/3 e votave do t’i bëjmë kur të kemi shumicën në parlament. Ky është një zotim, që jo vetëm për këtë qeveri që do të formohet tani por edhe për të gjitha qeveritë e ardhshme, nënshkruesit e kësaj deklarate qëndrojnë pas të gjitha pikave në platformë”, u shpreh Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.
Nga BDI thonë se mungesa e afateve kohore për realizimin e pikave të platformës është mundësi e vetme që e njëjta të realizohet në mënyrë sa më cilësore. Nga partia e Ahmetit nuk komentojnë faktin që për realizimin e disa pikave nga kjo platformë nevojiten 81 vota.
“Ishte i nevojshëm fillimisht të arrihej konsensusi brenda etnik-shqiptar, si parakusht për të iniciuar debatin shqiptaro-maqedonas. Mendoj se më i rëndësishëm është ky debat dhe epilogu final i tij se sa kufizimi me afate konkrete”, bëjnë me dije nga BDI-ja.
Aleanca për shqiptarët si njëra ndër partitë nënshkruese të platformës, pa qëndrim të prerë sa i përket numrave të nevojshëm në Kuvend për realizimin e platformës së përbashkët. Ky koalicion edhe para nënshkrimit të platformës së përbashkët propagandonte me idenë se nuk merr pjesë në qeveri nëse nuk plotësohen kushtet të cilat ky koalicion i përfshin në programin zgjedhor.
PDSH-ja tashmë një periudhë nuk ka qëndrim as për platformën e as për miratimin e pikave që burojnë nga e njëjta. Platforma e partive politike shqiptare përfshinë pika me rëndësi për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në vend: zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e Maqedonisë, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese, përdorimi i gjuhës shqipe dhe simboleve shtetërore, zbardhjen e plotë e proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtar. ligji për PSP-në dhe dëshmitarët si dhe angazhimi për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.