Partitë politike shqiptare ende nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e përbashkët të iniciuar nga Lëvizja Besa, në lidhje me heqjen e përkufizimin 20%. Deputeti i këtij subjekti politik, Fadil Zeneli tha se, edhe pse ka gatishmëri që të diskutohet për këtë temë, mbetet të shihet pozicionimin e tyre zyrtar ditëve në vijim. Ai tha se ky takim, nuk nënkupton në asnjë moment se përjashtohet komunikimi edhe me partitë maqedonase.
Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, tha se duke pasur parasysh temat me të cilët po përballet vendi, imponojnë domosdoshmërisht që të gjitha partitë politike parlamentare të takohen. Sa i përket heqjes së 20% në kuadër të ndryshimeve kushtetuese, Ademi tha se për këtë nuk ka rezistencë nga partitë maqedonase dhe për këtë nuk e sheh të arsyeshme që kjo çështje të prezantohet si agjendë etnike.
“Është çështje e domosdoshme, çështje e nevojshme që nuk shkon në dëm të askujt dhe është si rezultat i pjekurisë politike e shoqërore në vend që duhet ta demonstrojnë të gjitha partitë politike. Prandaj, jam më se i interesuar edhe njëherë nga të dyja partitë politike maqedonase relevante në vend të dëgjojë qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje. Dhe kur ata vet theksojnë se duhet të bëhet një korrigjim i tillë pse ta prezantojmë si çështje e agjendë etnike”, deklaroi deputeti nga rradhët e BDI-së Arbër Ademi.
Ndërkaq, Snezhana Kaleska Vançeva nga LSDM tha se, për këtë çështje duhet konsensus i gjerë politik i cili duhet të bazohet në fakte dhe argumente dhe në analiza të vërteta.
“Në këtë moment nuk mund të prisni nga unë apo nga cilido përfaqësues i ndonjë partie politike, pavarësisht a vjen nga pozita apo opozita, të ketë përgjigje konkrete po ose jo. Unë ju them se, çdo pyetje në lidhje me Kushtetutën, duhet të vijë si rezultat i kryqëzimit të argumenteve, fakteve dhe analizave të përbashkëta, për nevojën dhe për atë se a duhet tani në këtë moment, apo duhet në një fazë tjetër. Ato janë çështje që kërkojnë argumentim serioz”, deklaroi Snezhana Kaleska Vançeva, deputete e LSDM-së.
Kujtojmë se, Lëvizja Besa të martën ftoi në takim partitë parlamentare shqiptare, për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët rreth ndryshimeve kushtetuese dhe ndërmarrjes së hapave konkret për heqjen e përkufizimit “20%” nga Kushtetuta dhe i njëjti të zëvendësohet me termin “gjuha shqipe.”