Udhëheqësi kinez Xi Jinping u ka kërkuar partive politike në botë që të mbajnë përgjegjësinë e tyre në ndjekjen e mirëqenies së njerëzve dhe përparimin e njerëzimit.
Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe Presidenti Kinez Xi, u bëri thirrje partive politike për të forcuar bashkëpunimin në trajtimin e sfidave globale, duke përfshirë pandeminë e COVID-19, pabarazinë, terrorizmin dhe ndryshimet klimatike.
Gjatë fjalës së tij përmes një lidhjeje me video në Pekin në Samitin e PKK-së dhe Partive Politike Botërore, Xi kritikoi praktikat që kërkojnë bllokimin e teknologjisë dhe distancimin, politizimin e pandemisë, “manipulimin politik me qëllim sabotimin e zhvillimit të vendeve të tjera,” si dhe praktikat e “kërkimit të hegjemonisë nëpërmjet politikës në grup.”
Samiti online, i cili mblodhi liderët e më shumë se 500 partive dhe organizatave politike të mbi 160 vendeve, u mbajt pasi shoqëria njerëzore “gjendet edhe një herë në një udhëkryq historik” që çon në përplasje armiqësore ose respekt të ndërsjellët, në veçim dhe distancim ose hapje dhe bashkëpunim, në lojën me shumën zero ose në rezultate me përfitime të përbashkëta.
“Zgjedhja është në duart tona dhe përgjegjësia bie mbi shpatullat tona,” u tha Xi liderëve partiakë.
Përgjegjësia e partive politike
Xi u shpreh se partitë politike, si një forcë e rëndësishme e përparimit njerëzor, duhet të zgjedhin rrugën e duhur për të ecur përpara dhe të mbajnë përgjegjësinë e tyre historike për të siguruar mirëqenien e njerëzve dhe për të ndjekur përparimin e njerëzimit.
Xi u bëri thirrje partive politike të mbajnë përgjegjësinë për të gjetur një rrugë duke ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, si dhe për të arritur një konsensus duke mbështetur dhe promovuar vlerat e përbashkëta të njerëzimit.
“Ne duhet të mbështesim vlerat e përbashkëta të njerëzimit, të nxisim tolerancën mendjegjerë drejt kuptimit të vlerave të qytetërimeve të ndryshme, si dhe të respektojmë eksplorimet e popujve të ndryshëm me një ndjenjë të fortë përgjegjësie për të ardhmen e gjithë njerëzimit”,-tha ai.
Partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësinë për të promovuar zhvillimin duke sjellë përfitime më të mëdha në një mënyrë më të drejtë për të gjithë popujt,-tha Xi.
Duke theksuar se të gjitha vendet dhe kombet kanë të drejta të barabarta për mundësi zhvillimi dhe të drejta, Xi tha se partitë politike duhet të përballen plotësisht me probleme madhore si hendeku i pasurisë dhe zhvillimi i ndarë, duke i kushtuar një vëmendje dhe kujdes të veçantë vendeve dhe rajoneve të pazhvilluara dhe njerëzve të varfër.
Ai u bëri thirrje partive politike që të kundërshtojnë bashkërisht praktikën e bllokadës dhe ndarjes në teknologji, si dhe atë të distancimit.
Duke bërë thirrje për më shumë bashkëpunim në adresimin e rreziqeve dhe sfidave globale, Xi tha se përballë pandemisë, partitë politike duhet të punojnë së bashku për të mbyllur “hendekun e imunizimit” dhe të kundërshtojnë praktikën e politizimit të pandemisë apo atashimin e virusit me një vendndodhje gjeografike.
Xi, gjithashtu, u bëri thirrje partive politike të mbajnë përgjegjësi për të përmirësuar qeverisjen duke rritur kapacitetin për sigurimin e mirëqenies së njerëzve.
“Gjykimi nëse një vend është demokratik apo jo duhet të bëhet nga populli i tij, jo nga një grusht njerëzish të tjerë”,- tha ai.

Kontributet e PKK-së në botë
Qëllimi i palëkundur i PKK-së është të drejtojë mirë shtëpinë e saj, Kinën, t’u sigurojë një jetë të lumtur më shumë se 1.4 miliardë banorëve kinezë, si dhe të promovojë paqen dhe zhvillimin e të gjithë njerëzimit, tha Xi.
Xi tha se PKK do ta bashkojë dhe drejtojë popullin kinez në nxitjen përpara të modernizimit sipas stilit kinez për të dhënë kontribute të reja në gjetjen e mënyrave për modernizimin e njerëzimit.
Nuk ekziston një model fiks për rrugën drejt modernizimit dhe rruga që i përshtatet një vendi do t’i shërbejë mirë atij, tha ai.
“Shkurtimi i këmbëve për t’iu përshtatur këpucëve nuk të çon askund”,- shtoi ai.
PKK-ja do ta bashkojë dhe drejtojë popullin kinez për të ndërmarrë hapa gjithëpërfshirëse në thellimin e reformës dhe hapjes në dhënien e kontributeve të reja për zhvillimin e përbashkët dhe të begatë e të gjitha vendeve të botës,-theksoi Xi.
Xi tha se PKK-ja do të marrë përsipër përgjegjësinë e saj si një parti e madhe politike në një vend të madh për të dhënë kontribute të reja në përmirësimin e mirëqenies së njerëzimit.
Që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i PKK-së, 98,99 milionë banorë në zonat rurale, të cilët jetonin nën kufirin aktual të varfërisë në Kinë, kanë dalë nga varfëria, duke i mundësuar vendit të përmbushë 10 vjet përpara afatit të përcaktuar objektivin e uljes së varfërisë, të përcaktuar në Axhendën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030.
PKK-ja është e gatshme të japë kontributin e saj në procesin e uljes së varfërisë në të gjithë botën me më shumë zgjidhje dhe fuqi kineze,-tha Xi.
Vendi nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur bashkëpunimin ndërkombëtar kundër COVID-19 dhe për të shtuar aksesueshmërinë dhe përballueshmërinë e vaksinave drejt vendeve në zhvillim, si dhe do shtojë kontributin e saj në luftën globale kundër ndryshimit të klimës,-shtoi ai.
Xi tha se PKK-ja do të përmirësojë aktivisht qeverisjen globale për të dhënë kontribute të reja në përgjigjen e përbashkët të njerëzimit ndaj sfidave të përbashkëta.
“Ne duhet t’i kundërshtojmë praktikat e unilateralizmit të maskuar si multilateralizëm dhe t’i themi jo hegjemonisë dhe politikës së pushtetit”,- tha ai.
“Kina nuk do të kërkojë kurrë hegjemoni, ekspansion apo sfera të ndikimit”,- shtoi ai.
Në samit mbajti fjalë Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, gjithashtu, president i Kongresit Kombëtar Afrikan, si dhe 20 udhëheqës të tjerë të partive dhe organizatave politike. Ata ranë dakord me Presidentin Xi që partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësi për mirëqenien e njerëzve dhe thanë se janë të gatshëm të punojnë me PKK-në për të ndërtuar një botë më të mirë.
Në samit mori pjesë Wang Huning, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të PKK-së.
Në këtë event morën pjesë mbi 10,000 përfaqësues të partive politike dhe qarqeve të ndryshme.
Samiti lëshoi një deklaratë të përbashkët propozimesh, ku shprehej vullneti i përbashkët i partive politike që morën pjesë për të mbrojtur paqen botërore dhe zhvillimin, dhe për të promovuar mirëqenien e njerëzve.



