“Parkingu i Qytetit”nuk i mohon anomalitë që ekzistojnë me sistemin e pagesës. Problem shtesë me të cilën ballafaqohen shumë qytetarë nëpër parkingje është plaçkitja që ju bëhet automjeteve të tyre
Parkingu para Qendrës Tregtare “Mavrovasja”, nuk i plotëson standardet e duhura. Ai paraqet problem për shumë qytetar, sidomos për kurbetçinjt dhe të huajt të cilët vendosin që automjetet e tyre ti parkojnë në këtë vend. Ditëve të fundit deri te redaksia e gazetës KOHA, janë paraqitur një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, në veçanti shtetasve të huaj me ankesa se parkingu në fjalë nuk i ofron të gjitha opsionet për pagesë. Përpos sms porosive, ata shprehin pakënaqësinë e tyre se nuk ekziston asnjë formë tjetër e pagesës së parkingut. Për këto shkaqe ka ndodhur që të njëjtit të bllokohen dhe të gjobiten për mos pagesë të parkingut. Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit”, kur flet për këtë çështje nuk i mohon anomalitë që ekzistojnë me sistemin e pagesës së vendeve për parking. Për gazetën KOHA, nga atje njoftojnë se janë të angazhuar që ky problem të zgjidhet.
“Nuk ka forma tjetër të pagesës përpos sms porosive dhe kartelave me gërvishtje. Forma e dytë e pagesës mungon për momentin për shkak se nuk ka interes te kioskat në rrethinë. Përkundër provizionit që ata e marrin. Megjithatë, jemi në bisedë e sipër me disa shitore dhe shpresoj se së shpejti do të zgjidhjet ky problem me pagesën e parkingut. Ne nuk mund ti shesim ato kartela për parking për shkak se nuk lejohet të pranojmë para të gatshme. Ndërkohë, duhet të theksoj se shpesh herë keqpërdoret toleranca jonë për parking, andaj edhe vije te bllokomi i veturës. Zakonisht pronarët e veturave thonë se kthehen për shkurt kohë, ndërsa në praktikë ndodh e kundërta. Jemi të përkushtuar që ky problem të zgjidhet se shpejti”, thonë nga “Parkingu i Qytetit”. Në këtë hapësirë, përpos “Parkingut të Qytetit”, funksionojnë dy apo tre parkingje tjera private.
Por të njëjtit as nga afër nuk i plotësojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe rrethinës për parking. Kjo mendohet të jetë edhe njëra prej arsyeve që shpesh ndikon të krijohen keqkuptime mes qytetarëve dhe nëpunësve që janë të angazhuar për mbajtjen e rendit në këto parkingje. Kaosi i cili mbizotëron në këtë pjesë të qytetit, posaçërisht në kohët e pasdites po ashtu reflekton në ngritjen dhe reputacionin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Numri i vogël e vendeve për parking dhe parregullsitë e shumta sipas shumë dyqangjinjëve të Çarshisë janë pengesë për zhvillimi e mirëfilltë të turizmit. Viteve të kaluar, kur me Qytetin e Shkupit administronte kryetari Koce Trajanovski, në kryeqytet u ndërtuan shumë garazhe në kate. Dy prej tyre u ndërtuan në afërsi të kompleksit të gjykatave. Pavarësisht standardeve që i ofrojnë këto garazhe në kate të njëjtat janë në një largësi bukur të mirë nga vet kompleksi i Çarshisë së Shkupit. Si ide për zgjidhjen e kaosit me parkingut mendohej zgjerimi i sheshit “Skënderbe” dhe ndërtimi i një garazhe nëntokësore.
Por i gjithë plani ka mbetur vetëm një premtim i parealizuar. Ndryshe, problem shtesë me të cilën ballafaqohen shumë qytetar në këtë parking dhe pronar të veturave është plaçkitja që ju bëhet automjeteve të tyre. Në shënjestër të hajnave, të cilat organet e rendit jo çdoherë arrijnë ti kapin, janë pikërisht veturat me targa të huaja. Së fundmi pjesë e një vjedhje ishte një shtetas bullgar. Sipas raportit policor nga vetura e tij “Audi” ishin vjedhur dy çanta. Përpos dëmit material të vetura hajnat nuk kishin arritur të bëjnë ndonjë dëmtim më të madh. Në çantat e vjedhur siç kishte raportuar shtetasi bullgar nuk ka pasur asgjë me vlerë.