Artistja shqiptare Parashqevi Simaku, e cila u shfaq në një video në rrugët e New Yorkut si e pastrehë ,do të ketë mbështetjen e bashkisë së Kavajës, qytetit të saj të lindjes.
Kryetari i kësaj bashkie, Fisnik Qose lajmëroi publikisht se Bashkia Kavajë, Këshilli Bashkiak dhe i gjithë komuniteti kavajas, ka mundësinë dhe detyrën ta mbështesë siç i takon një artiste të madhe si Parashqevi Simaku.
“Parashqevi Simaku, është vajza nga Kavaja që me zërin e saj të artë ndriçonte kombin shqiptar në momentet e veta më të zymta! Ajo është një ikonë dhe një krenari e Kavajës!
Pasi pamë pamjet e transmetuara nga gazetari Blendi Fevziu, nuk më mbetet gjë tjetër veç se të lajmëroj publikisht se Bashkia Kavajë, Këshilli Bashkiak dhe i gjithë komuniteti kavajas, ka mundësinë dhe detyrën ta mbështesë siç i takon një artiste të madhe si Parashqevi Simaku si dhe të tregojë mirënjohjen më të thellë për gjithë çfarë na ka dhuruar përgjatë viteve”, shkruan Qose, i cili thotë se “Kavaja është gjithmonë shtëpia e saj dhe do ta presë gjithmonë siç i takon një ikone të ndritur si ajo”.



