Mot të ndryshueshëm, herë me temperatura shumë të ulëta, e herë me temperatura pak më të larta si dhe reshje të reja të borës nga fundi i ditës së nesërme, parashikojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Meteorologu Boris Sekiravski, tha se gjatë ditës së nesërme në vendin tonë do të mbizotërojë mot me vranësira të ndryshueshme, me temperatura të mëngjesit nga minus 12 deri në minus 2 gradë celsius, ndërkaq gjatë ditës do të rriten temperaturat nga minus 1 deri në pesë gradë celsius, duke krijuar kështu kushte për reshje të reja të borës.
“Në orët e mbrëmjes do të rriten vranësirat dhe do të zgjerohen gjithandej në jugperëndim, në këtë pjesë të vendit do të fillojnë edhe reshje të borës. Këto të reshura të borës nuk do të jenë shumë intensive, do të zgjasin edhe të martën brenda ditës. Në Shkup edhe gjatë orëve të pasdites, do të vazhdojnë edhe të mërkurën, por do të përfundojnë edhe të mërkurën kah fundi i ditës”, ka deklaruar Boris Sekiravski, meteorolog.
Edhe pse të reshurat e borës do të jenë të dobëta, nga kjo drejtori thonë se megjithatë edhe këto reshje do të krijojnë mbulesë plotësuese të borës, ku pas përfundimit të tyre të mërkurën, përsëri do të ulen temperaturat deri në minus 14 gradë celsius.
“Temperaturat e mëngjesit do të jenë të buta, dhe të mërkurën do të kemi temperatura minimale rreth zeros, por pastaj pas përfundimit të reshjeve, do të kemi më pak vranësira, më shumë periudha me diell, por përsëri me temperatura më të ulëta të mëngjesit . Të premten temperatura e mëngjesit do të jetë nga minus 14 deri minus dy gradë celsius.”, tha më tej ai.
Kujtojmë se vendi ynë tanimë rreth tre javësh është i mbuluar me borë, si dhe zhiva e termometrit ka kapur temperatura shumë të ulëta nën zero. Temperatura më e ulët që është regjistruar në nivel shtetëror është ulur në minus 28 gradë celsius.
Ajnur Bafqari /SHENJA/