Vitet e fundit Maqedonia, ka bërë përmirësimë në punësimin e shumë të rinjve, duke realizuar projekte të ndryshme, si dhe trajnime për të papunët. Janë shoqatat joqeveritare që kanë arritur të inkuadrojnë shumë gra, për t’u trajnuar, pastaj agjensia e punësimit, “Maqedonia punëson”, etj. Por, shifrat tregojnë se përsëri kemi një numër të madh të të papunëve, në sfera të ndryshme. Për ekonomistët zgjidhjet e problemit të të papunëve duhen kërkuar shumë më thellë dhe vazhdimisht të punohet në këtë problematikë. Ndërsa, për analistët thonë se ka mungesë të reformave reale në sektorin publik. Por edhe përshkak të keq menaxhimit. Si dhe një numër të të punësuarve të menjëhershëm është bërë për të mbajtur në kontroll një kategori të njerëzve.
“Shkalla e papunësisë në vitet e fundit ka ardhur si pasojë e keq qeverisjes së pushtetit duke i deleguar paratë publike në investime joproduktive, ku edhe zhvillimi i ekonomisë ka lëvizur mjaft ngadalë. Për zbutjen e papunësisë duhen investime me karakter prodhues dhe masa tjera që sjellin rritje ekonomike në vend.
Faktor tjetër është edhe politizimi i shoqërisë, ku si tregues i qartë është se pushteti më tepër është i interesuar të mbajë shoqërinë të kontrolluar politikisht, më qëllimin për ta shfrytëzuar si makineri votuese për interesa të ndryshme. Shteti duhet të thith investime të huaja, të rrisë investimet prodhuese dhe të krijojë strategji për zbutjen e papunësisë përmes masave efikase ekonomike.
Shqetësuese është fakti edhe për shumicën dërrmuese të qytetarëve që kanë diplomuar dhe s’gjejnë dot punë, pasi sistemi te ne ka krijuar këtë vakum nga joefikasiteti i arsimit dhe politikave qeveritare për sistematizimin e të gjithë atyre që kryejën studimet dhe mbeten të papunë. Dobësia është që pushtetet deri tani janë fokusuar te administrata shtetërore, ndërsa shteti duhet të krijojë mekanizma për punësimet dhe në sektor tjerë që janë me rëndësi”, thotë analisti Bujar Plloshtani, për Almakos.
Profesoresha Maja Gerovska-Mitev, projektin “Maqedonia Punëson”, e cilëson si të papërshtatshëm si për shoqërinë e këtij shteti ashtu edhe për buxhetin e saj.
“Kjo qasje është fatale, si për shtetin social, ashtu edhe për fondet e saj, por edhe për subjektet që paguajnë rregullisht kontributet sociale dhe për vetëdijen lidhur me të drejtat sociale”, vlerëson profesoresha Gerovska Mitev.
Për shumë qytetarë problemet e efekteve të dobëta të masave të punësimit, është nga fakti se gjithçka është e politizuar, çdo institucion. Më saktësisht nga mendimi se ato të cilët në një mënyrë të caktuar kanë dhënë kontribut për partinë duhen shpërblyer për kontributin e dhënë me punësimin e tyre, por shumica nga këta kontribues edhe janë zhgënjyer. Ata thonë se kjo praktikë duhet të ndalojë. Dhe se mënyra e punësimit duhet të jetë në formë reale, e bazuar në aftësitë dhe profesione të caktuara, që çdo individit i kualifikuar me arsim të lartë, që të jetë më profesional në punë.
Analiza e fundit tregojnë se shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë të vitit është 22,6 për qind dhe në krahasim me tremujorin paraprak shënon zvogëlim prej 0,3 për qind. Sipas të dhënave të publikuara të Entit Shtetëror të Statistikës, papunësia në tremujorin e parë ka qenë 22,9 për qind, ndërsa në tremujorin e fundit të vitit 2016 24 për qind. Të dhënat e publikuara tregojnë se numri i popullatës aktive në tremujorin e dytë është 955.699 persona, prej të cilëve të punësuar janë 739.892, ndërsa 215.807 persona janë të papunësuar. Shkalla e aktivitetit në këtë periudhë është 56,9 për qind, ndërsa shkalla e punësimit 44,1 për qind. Mes të punësuarve, 62 për qind ose 133.766 janë burra, ndërsa 38 për qind ose 82.041 gra. Sipas moshës, më së shumti të papunësuar ka te ata prej 25 deri 49 vjeçarë dhe ai numër është 137.859 persona ose 63,9 për qind. Shikuar sipas arsimit, më së shumti të papunësuar ka mes personave me arsim të mesëm prej katër viteve – 113.403 persona. Te të punësuarit të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe janë të punësuar në industrinë përpunuese 143.711 persona, pastaj në bujqësi, në pylltari dhe në peshkim, ku janë punësuar 120.304 persona, në tregtinë në shumicë dhe pakicë janë punësuar 106.836 persona.
Delvina Kërluku
Almakos.com

