Fondacioni Konrad Adenauer, Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Uilfrid Martens për studime evropiane në kuadër të aktiviteteve për Shënimin e Ditës së Evropës – 9 Maj, sot organizon panel diskutim me temë “Formësimi i së ardhmes – Integrimi në BE si shtytës i përparimit të Maqedonisë së Veriut”.
Në panel diskutimin, siç paralajmërojnë organizatorët, parashikohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë të vendit dhe jashtë, të trupit diplomatik, komunitetit akademik, studentë dhe aktorë tjerë relevantë.
“Në ngjarje fjalim hyrës do të kenë Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit, prof.dr. Norbert Lamert, kryetar i Fondacionit Konrad Adenauer/kryetari i Bundestagut gjerman (2005-2017) dhe Mikulash Xurinda, kryetar i Qendrës për studime evropiane Uilfrid Martens – ish kryeministër i Sllovakisë (1998 – 2006)”, thonë organizatorët.
Prej aty paralajmërojnë se në kuadër të panel diskutimit do të mbajnë fjalim edhe Petra Dreksler, ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në vend, Mihalis Rokas, ambasador i Bashkimit Evropian në vend, Marika Petrushevska, deputete e VMRO-DPMNE-së, Feride Haxhiu, deputete e VLEN-it, si dhe Monika Zajkova, deputete e PLD-së.
Ngjarjen do ta hapin Daniel Braun, përfaqësues zyrtar i Fondacionit Konrad Adenauer, Mileva Gjurovska, kryetare e Lëvizjes Evropiane dhe Katerina Jakimovska, oficere e lartë për projekte, Qendra për studime evropiane, Uilfrid Martens (VMCES).
Në kuadër të këtij eventi, pllaketa për Personalitet evropian të vitit 2024 do t’i ndahet Risima Risimkin, balerinë, koreografe, artiste dhe profesoreshë universitare nga Maqedonia e Veriut.
Pas panel diskutimit dhe ndarjes së pllaketës për Personalitetin evropian të vitit, është parashikuar edhe koktej rasti.