Bullgaria vendosi veto për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian sepse kushtet bullgare në të cilat këmbëngul Sofja, nuk janë përmbushur. Vendimi u bë i ditur gjatë së martës nga zyrtarët më të lartë bullgarë që kërkojnë respektimin e formulimit të gjuhës në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2017, udhërrëfyes me afate të sakta për zbatimin e marrëveshjes dhe tekst të qartë se pakica maqedonase në Bullgari nuk njihet.
Në lidhje me këtë çështje dhe mundësinë që edhe të dëmtohet edhe interesi shqiptar nga një vendim i tillë, KosovaPress bisedoi me albanologun bullgar Anton Panchev, që i nxitur nga mosmarrëveshjet lidhur me karakterin dhe me prejardhjen etnike të një pjese të madhe të popullsisë nga territoret e Maqedonisë së Veriut e shtynë që të botojë një përmbledhje faktesh në mënyrë që, siç thotë ai, të njihet e vërteta.
Panchev thotë për KosovaPress se Bullgaria nuk e mohon të drejtën e maqedonasve të kenë kombin, gjuhën, historinë, identitetin e vetë, porse shton se shteti i tij nuk do të lejojë kurrë të keqpërdoret historia dhe identiteti bullgar.
Sipas tij, Bullgaria është e detyruar të vërë veto mbi Maqedoninë e Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Bashkimit Evropian. Porse këmbëngulë se kjo nuk do të dëmtojë interesat e shqiptarëve.
“Kemi shumë mosmarrëveshje lidhur me identitetin, me historinë, me gjuhën, shkurtimisht Bullgaria duhet të mbrojë identitetin, historinë bullgare. Pretendimet që bëjnë në Shkup e shkatërrojnë historinë bullgare. Duke u bazuar në fakte të ndryshme, Maqedonia është krijuar në vitin ‘44-‘45, si një projekt serbo-komunist për ndarjen e popullit bullgar. Atëherë janë vrarë shumë bullgarë, mbi 20 mijë bullgarë vetëm në këto vite, janë burgosur në kampet dhe burgjet e ish-Jugosllavisë. Ne dëshirojmë që të njihet kjo e vërtetë”, thotë ai.
Ai tregon arsyen e vetos së Bullgarisë mbi Maqedoninë e Veriut.




