Sipas Entit Shtetërorë për Statistika, shtrenjtimi i çmimeve të produkteve kryesore ushqimore të janarit të këtij viti krahasuar me janarin e 2021 janë tejet të mëdha dhe drastike, duke vënë në vështirësi familjet në Maqedoninë e Veriut.
Rritja e çmimeve nga fillimi muajit janar të këtij viti, dukshëm ka rënduar gjendjen ekonomike dhe financiare të qytetarëve. Sipas Entit Shtetërorë për Statistika, shtrenjtimi i çmimeve të produkteve kryesore ushqimore të janarit të këtij viti krahasuar me janarin e 2021 janë tejet të mëdha dhe drastike, duke vënë në vështirësi familjet në Maqedoninë e Veriut. Sipas llogaritjeve të shpenzimeve për muajin dhjetor të vitit 2021, një familjeje prej 4 personave i nevojiten të paktën 569 euro për të kaluar muajin dhe shpenzimet mujore, ndërsa vetëm për ushqim dhe pije i duhen të paktën mbi 15 mijë denarë, ose 250 euro.
Ata që më së tepërmi e kanë vërejtur këtë situatë janë kryefamiljarët të cilët janë ankuar për shkakun që rritja e çmimeve ka bërë që xhepi i tyre të rëndohet tej mase, që sipas tyre pagat mujore janë të pamjaftueshme për të mbijetuar por edhe përmbushur nevojat familjare. Kryefamiljari Ali Kadriu, vetë i gjashti në familjen e tij, thotë se me hyrjen e pandemisë por edhe me shtrenjtimin e çmimeve është shumë e vështirë të përballosh harxhimet mujore. Ai thotë se as rritja e pagës nuk është zgjidhje për të përballuar sfidat ekonomike. “Rritja e pagës në 18 mijë denarë, është e pamjaftueshme për harxhimet mujore, besoni që detyrohemi të punojmë edhe më shumë nga ajo që kemi,me vetëm për të furnizuar shtëpinë ushqimin e mos flasim për ndonjë mundësi kursimi për të investuar diçka ose për të bredhur për qejfet personale, pasi që ajo mundësi është harruar”, thotë Kadriu. Ai shton se shteti duhet që qytetarëve të u’a mundësojë lirimin e çmimeve së paku të produkteve ushqimore.
Ekonomisti Ali Maksuti, për gazetën KOHA thotë se rritja e çmimeve prek drejtpërsëdrejti buxhetin e qytetarëve dhe të kryefamiljarëve në përgjithësi. “Trendi i rritjes së çmimeve në vend ka filluar prej fillimit të pandemisë, por kriza energjetike botërore ka pasur efektin e saj në rritjen e çmimeve të të gjithë produkteve elementare në vazhdimësi. Kjo rritje e çmimeve varion nga 20 për qind deri më 45 për qind të disa produkteve ushqimore, por rritje të çmimeve kemi edhe në materialet ndërtimore nga 20 për qind deri më 80 për qind, kështu që gjithë sektorët ekonomik po pësojnë ndryshime të çmimeve dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e qytetarëve dhe familjeve. Kemi rritje të pagës minimale në sektorin privat , por këto paga kanë variuar edhe kur ka qenë më e ulët paga minimale, vetëm se diferencën e neto pagës të punësuarit i kanë marrë në kesh, siç themi në “të zezë”, kështu që ndikimi është real në buxhetin e familjeve”, deklaron Maksuti
Qeveria e vendit tanimë vendosur kufizime mbi normën e fitimit për produktet kryesore ushqimore dhe këtë e ka njoftuar edhe vetë ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Sipas ministrit të Ekonomisë, me kufizimin e normës së fitimit do të ndikohet direkt në uljen e çmimit të këtyre produkteve, ndërsa vendim do të zbatohet nga 1 marsi i vitit 2022 deri më 31 maj të vitit 2022, ndërsa për tregtarët që nuk i përmbahen këtij vendimi, do të ketë gjoba prej 800 deri në 10. 000 mijë euro. Qeveria i ngriu çmimet e mishit, produkteve të qumështit, vajit, miellit, bukës dhe sheqerit më 1 dhjetor të vitit të kaluar, për shkak të rritjes drastike të çmimeve dhe paralajmërimeve për rritje të mëtejme.