Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në vizitën e tij të parë në Ukrainë si kryesues i OSBE-së, dënoi sulmin rus në një ndërtesë banimi në Dnipro, ku dy ditë më parë humbën jetën mbi 40 persona dhe mbi 70 të tjerë u plagosën.
“Nuk ka asnjë justifikim nëse objektivat civile granatohen vazhdimisht. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjen e civilëve, pengimin e transportit ujor dhe ushqimit, pengimin e punës së autokolonave humanitare. Asgjë nuk mund të arsyetohet kur fëmijët dhe gratë shtatzëna mbeten pa ngrohje, me ushqim të pamjaftueshëm”, tha Osmani.
Osmani ka vizituar qytetin Borodyanka në rajonin e Kievit, i cili është prekur rëndë nga aksionet ushtarake.
“Në aksionet e armatosura të Rusisë u shkatërruan shkolla, spitale dhe infrastruktura e tjera shtetërore, të cilat fatkeqësisht vazhdojnë të dëmtohen apo shkatërrohen. Të gjithë ne që mbështesim Ukrainën jemi në anën e duhur të historisë, në anën e duhur të njerëzimit, duke respektuar të drejtën për jetë”, tha Osmani. Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, sot në mëngjes arriti në Stacionin kryesor hekurudhor në Kiev.
BB Media
Njëherazi, në kuadër të vizitës janë planifikuar takime me përfaqësues të lartë shtetëror të Ukrainës. Vizita e Osmanit në Kiev është në suaza të realizimit të njërit prej prioriteteve kryesore të Kryesimit – gjendja në Ukrainë, me fokus të veçantë tek njerëzit në terren që janë të prekur nga agresioni ushtarak – Fjala është për njerëzit! Ndryshe, më 1 janar 2023 zyrtarisht Maqedonia e Veriut e filloi Kryesimi i OSBE-së, organizatës multilaterale ku gjenden 57 shtete pjesëmarrëse nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia kontribuojnë për paqen rajonale dhe globale. Ministria e Punë të Jashtme ka vlerësuar që fokusi i OSBE-së gjatë udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut do të jetë siguria e njerëzve, përkundër pasigurisë rajonale dhe globale. Më 12 janar do të shpalosen prioritet e Kryesimit të Maqedonisë së Veriut para Këshillit të Përhershëm në Vjenë.
“Nën sloganin “për njerëzit bëhet fjalë”, fokusi i presidencës së Maqedonisë së Veriut do të vendoset në sigurinë njerëzore në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale”, deklaruan ditë më parë nga Ministria. Ministri Bujar Osmani paralajmëroi që si vend kryesues do të kontribuojnë që OSBE-ja të jetë një mision në terren, duke ndërmarrë dhe mbështetur aktivitete konkrete për lehtësimin e jetës së njerëzve. Ai vlerësoi që vendi me pjekurinë dhe njohuritë do të jetë lojtar kyç për udhëheqjen e politikave dhe proceseve ndërkombëtare.