Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vazhdoi edhe dje takimet me partitë politike për të diskutuar ngërçin institucional që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit.
Në takimet e zhvilluara me përfaqësuesit e partive Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT, Osmani theksoi se zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe jo çështje zgjedhjeje politike.
“Konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditëve është një detyrim, jo një opsion”, tha Osmani, duke nënvizuar nevojën për zgjidhje të menjëhershme dhe përgjegjësi politike nga të gjitha palët.
Ajo paralajmëroi se moskonstituimi i Kuvendit po krijon një vakuum institucional, që sipas saj, dëmton demokracinë dhe paralizon funksionimin e shtetit.
Presidentja i bëri thirrje liderëve që, në frymën e bashkëpunimit dhe në interes të qytetarëve, të veprojnë brenda afatit kushtetues dhe të dalin me një zgjidhje sa më shpejt.
Presidenca njoftoi se Osmani do të vazhdojë takimet me subjektet tjera parlamentare në ditët në vijim, në përpjekje për të zhbllokuar situatën.