Nuk kanë të ndalur përplasjet në rrjetet sociale nga ana e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani përmes një postimi e ka quajtur kënetë politike politikbërjen e koalicionit shqiptar VLEN në Qeveri.
“Politika e LEN-it?
Taman kënetë politike.
Intriga, spinime, akuza boshe, ofendime personale, mashtrime e lajme të rreme – gjithçka, përveç vizionit, strategjisë dhe bashkëpunimit.
Ndërkohë që çdo e arritur po rrënohet para syve tanë, ata janë të zënë me lojëra të vogla politike.
E kanë zbritur nivelin e politikëbërjes në pikën më të ulët”, ka shkruar Osmani.
Por atij i është kundërpërgjigjur deputeti i VLEN, Adnan Azizi.
“Qyqja e Alisë, pacienti, pasi ngeli i vetëm si qyqe në parti paska kënduar si kukuvajkë pas arratisjes së Artanit e Perparimi, burgosjes së Kreshnikut dhe të tjerëve… Ndoshta mos ka ndonjë paralajmërim se do u bashkëngjitet shokëve të krimit…
Sa gjynah!”, ka shkruar Azizi.
Por, një reagim ka pasuar edhe nga deputetja e VLEN, Saranda Imeri Stafai.
“Flet “pacienti”, sikur nuk ka qenë ai vetë kirurgu i kësaj kënete!
Bujar Osmani, simboli i mashtrimeve me përkthim simultan, ish shefi i diplomacisë që nuk diti asnjëherë të përkthejë as të vërtetën në gjuhën e popullit. Flet për “kenetë politike”, ndërkohë që ai vetë ka ndërtuar sistemin e hajnave që notojnë në luks, korrupsion e arrogancë.
Kur flet për mungesë vizioni, ai që s’e di as vetë çfarë ka qenë dje e çfarë do jetë nesër, s’mund të presim më shumë veçse zhurmë nga një “pacient” politik që jeton ende me infuzion nga paratë e pista të ish pushtetit. Ai që u tall me kombin e vet për një karrige më shumë, tani paska guxim të shes moral!
Bujar, më mirë hesht, se çdo herë që flet, vetëm na përkujton pse s’ka më vend për BDI-në në të ardhmen tonë”, reagoi deputetja Saranda Imeri Stafai.(INA)