Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, mbrëmë e prezantoi programin e tij për ndërhyrje të shpejtë dhe sistematike në zgjidhjen e problemeve më kritike të komunës, papastërtinë, ndërtimet pa leje, mungesën e vendeve të parkimit dhe sigurinë.
Osmani theksoi se këto nuk janë zgjedhje të zakonshme lokale, por një moment kur përcaktohet drejtimi i shtetit dhe i komunës.
“Edhe pse këto zgjedhje janë lokale, besoni, ato janë shumë politike, sepse do ta përcaktojnë drejtimin e shtetit, të popullit dhe të komunës sonë”, tha Osmani.
Në “trasen e tij urgjente”, pra në masat e menjëhershme që do t’i ndërmarrë të parat, Osmani paralajmëroi formimin e një shtabi krize që ditën e parë, i cili do të merret me katër problemet më të mëdha papastërtinë, ndërtimet pa leje, parkimet dhe sigurinë.
“Nuk duhet t’u lejojmë fëmijëve tanë të rriten në komunën më të ndotur në Shkup. Nuk duhet! Që ditën e parë do ta formojmë ndërmarrjen tonë komunale me mbi 120 të punësuar, në mënyrë që çdo rrugë të ketë mirëmbajtjen e vet”, deklaroi Osmani.
Ai njoftoi se shërbimi i ri komunal do të jetë plotësisht nën kontrollin e komunës, me qëllim që qytetarët më në fund të kenë rrugë të pastra, hapësira publike të pastra dhe ajër që nuk helmon familjet e tyre.
Osmani hodhi kategorikisht poshtë spekulimet se do të prishen shtëpitë ekzistuese pa leje, duke theksuar se bëhet fjalë për çështje njerëzore dhe jo politike.
“Asnjë ndërtim i përfunduar pa leje nuk do të prishet, sepse njerëzit i kanë shpenzuar kursimet e jetës për të blerë një banesë. Ata janë mashtruar. Njerëzit nga i ashtuquajturi ‘Titanik’ nuk flenë të qetë, sepse nuk kanë dokument për pronën në të cilën kanë investuar gjithë paratë e tyre”, tha Osmani.
Ai shtoi se do të bëhet një vlerësim strukturor dhe legalizim i objekteve stabile, ndërsa ndërtimet e reja pa leje nuk do të lejohen më kurrë.
“Nuk do të ketë më ndërtimet pa leje nën udhëheqjen time. Edhe nëse kjo më kushton fitoren në zgjedhje”, theksoi Osmani.
Sa i përket problemit kronik me parkimin, Osmani paralajmëroi se Çairi është para një kolapsi të plotë të trafikut.
“Në Çair ka mbi një mijë automjete rezidenciale. Njerëzit thonë se do ta shisnin shtëpinë nesër, vetëm për shkak të stresit të përditshëm me makinën. E nëse përveç vështirësive të përditshme ata jetojnë edhe me atë stres, çfarë kemi bërë ne?”, pyeti Osmani.
Plani i tij parasheh ndërtimin e garazheve shumëkatëshe dhe zonave të reja të parkimit rrugor, si dhe një parking nëntokësor me 350 vende, në kuadër të projektit për unazën e re, të përgatitur nga arkitekti me famë botërore Mishel Rojkind.
Osmani theksoi se qasja e tij nuk do të jetë kabinetike, por terrenale, dhe se çdo mëngjes do ta ndjekë personalisht gjendjen në komunë.
“Më pyetën cila do të jetë gjëja e parë që do ta bëj kur të bëhem kryetar komune. U thashë: ka një gropë afër lagjes sime që më dhemb në sy prej muajsh, e askush nuk vjen ta mbushë. Prej andej do të filloj, nga ajo gropë”, tha Osmani, duke shtuar se çdo mëngjes në orën 7:30 shërbimet do të marrin listën e saktë të problemeve për t’u zgjidhur.
Osmani theksoi se lufta e tij nuk është për pushtet, por për rend, pastërti dhe administrim të ndershëm.
“Ne nuk jemi popull që mund të blihet, as me para, as me ato ‘asfalte zgjedhore’ të bëra me paratë tona. Ato janë paratë tona, por i kanë ruajtur për ta blerë vullnetin tuaj si shërbim”, tha Osmani.